Nga Sebastin Zonja
Debate të ndryshme gjallojnë çdo dhjetor nëse demokracia jonë erdhi me urdhër nga lart, me përmbysje, me xhaketa pa kanotiere apo me pardesy pa kopsa. Për të shpjeguar fenomene të ndryshme historike, ndër të cilët edhe këtë, ne përdorim disa lente – dialektikën hegeliane, materializmin historik të Karl Marksit, teorinë ciklike të Shpenglerit apo qasjen e Arnold Toinbit që mund ta quajmë “sfidë – përgjigje”. Secili prej këtyre njerëzve të mëdhenj ka krijuar mënyrën e vet të analizës së faktit historik, gjithashtu një optikë interesante për të parë të ardhmen. Një autor interesant që i merr në shqyrtim filozofët e mësipërm, por nuk kishte informacione të detajuara për Ramiz Alinë, Sali Berishën dhe Edi Ramën, është Karl Poperi. Ai na thotë se ideja se historia ndjek disa modele të pashmangshme është pak iluzive. Po ashtu, Poperi na thotë se përpjekja e vazhdueshme për të zbuluar “ligje të historisë” na çon drejt konspiracioneve apo drejt interpretimit teleologjik.
Për shembull, hipoteza e Katovicës është pjesë e rëndësishme e analizës për fillimet e demokracisë. Më shumë se përdorimi për të shpjeguar ngjarjet e asaj kohe, ajo na shërben për të përcaktuar planin politik “të së ardhmes”. Secili ka të drejtë të ndihet i pafat për arsye sepse një fuqi madhore ja ka prerë rrugën për t’u bërë diçka. Ngushëllimi është shumë i rëndësishëm. Ngjashëm me Katovicën tonë, shumë vende nëpër botë kanë konspiracionet e tyre për t’i shpjeguar ngjarjet historike. Konceptet si “shoqëria”, “shpirti i kohës”, “klasa”, “kombi” në këto analiza janë entitete reale që veprojnë në terren. Iraku u pushtua sepse s’kishte demokraci. Shpirti i kohës ishte shpërndarja e demokracisë… Nëpër gjithë këto raste e ardhmja është e paracaktuar, duke mohuar njeriun si agjent, ndërsa historia është e mbyllur. Thuajse në të gjitha rastet, teoritë konspirative shpërndahen nga pushteti për të shenjtëruar veten apo me shtyp kritikën.
Së fundmi më referoi një mik një autor interesant. Kuentin Mejasu (Quentin Meillassoux) ndërton një panoramë të re duke na ftuar në atë që ai e quan “domosdoshmëria e rastësisë”. Mejasuja na thotë se asgjë nuk është e domosdoshme përveç vetë rastësisë. Ligjet e natyrës dhe ngjarjet historike nuk mbështeten tek ndonjë ligj i përjetshëm, por mund të ndryshojnë pa asnjë arsye. Një ditë të bukur, pa qenë fare në dorën tonë, Dielli lëshon një stuhi drejt Tokës dhe ku i dihet se çfarë ndodh!!! Jetojmë në “hiper-kaos”, sipas tij. Polikrizat që po jetojmë, siç është rritja e autoritarizmit, goditjet e mëdha inflacioniste, zhvillimet teknologjike nuk janë hapa progresivë drejt utopisë apo distopisë. Me kalimin e kohës, ndërsa zhvillojmë më shumë “ChatGPT”-në do shkojmë drejt një forme të re qenieje ku mendimi dhe ndërgjegjja nuk korelojnë. A është ky një plan i fshehtë? Aspak.
Por, si gjithnjë, ndihemi më mirë të besojmë se ka një plan të fshehtë, duke sjellë në vëmendje Katovicën, në vend se të ndërtojmë plane disktutimi ku vëmë në pah rastësinë, paaftësinë, organizimin, aparatin e dhunës, paratë, egoizmat…

