Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, nuk ka marrë në konsideratë kërkesën e opozitës për largimin e tij nga detyra dhe ka thirrur sot mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Takimi pritet të zhvillohet në orën 11:00 dhe ka si qëllim plotësimin e vendeve bosh në 11 komisionet e përhershme parlamentare, të cilat nuk kanë nisur ende punën në mungesë të anëtarëve.
Vendimi për mbledhjen e Konferencës vjen vetëm pak ditë pasi Partia Demokratike depozitoi një kërkesë zyrtare për shkarkimin e Peleshit, duke e akuzuar atë për qëndrime të njëanshme gjatë seancës së fundit plenare, ku sipas opozitës favorizoi mazhorancën socialiste dhe kryeministrin Edi Rama, duke kufizuar fjalën e deputetëve demokratë.
Nga ana tjetër, PD ka përcaktuar drejtuesit e katër komisioneve parlamentare që i takojnë asaj, si edhe nënkryetarët në komisionet e drejtuara nga socialistët. Megjithatë, këto emra nuk janë dërguar ende zyrtarisht në Kuvend, çka ka bërë që të mos hidhen në votim. Deri më tani janë miratuar vetëm drejtuesit socialistë të komisioneve, ndërsa me përfshirjen e anëtarëve të opozitës pritet që strukturat parlamentare të bëhen plotësisht funksionale.