Poemat me motive sociale kanë qenë pak të popullarizuara në vitet ’70 të shekullit të kaluar, mbasi realizmi socialist nuk i lejonte polemikat e thelluara në fushën e artit. Funksioni socio-politik i poemës “Koineja e gjuhës shqipe” e bën Nikollë Dakajn të shprehë një dallueshmëri në kontekstin e gjinisë së poezisë, e cila lëvrohej rëndom brenda kornizave të mirë dallueshme të politikës së ditës caktuar nga ideologjia mbizotëruese e marksizmit, vënë në praktikë edhe në shkencën e gjuhësisë, në Shqipërinë e viteve ’70.

Ndalimi i publikimit të shkrimit në dialekt, u bë një pengesë më shumë për shpresat e publikimit të prodhimit letrar të Nikoll Dakës gjatë komunizmit dhe politikat kulturore dhe linguistike, lanë gjurmë më të thella në krijimtarinë e tij sesa vuajtja e tij në burgjet komuniste deri në vitin 1987. 

Poema Koineja, ka qarkulluar në formë Samisdati, në rrethin e shkrimtarëve Shkodranë duke ndikuar në ruajtjen e një qendre disidence kulturore krahas mendimit shkencor alternativ për gjuhën, që më pas u quajt “gjuha standart”. Vijues të kësaj shkolle të shkrimit të gegënsht, u bënë poetët Primo Shllaku, Zef Zorba dhe përfaqësuesit e klerit si Imz. Frano Illia, Imz. Zef Simoni, At Benedikt Dema, At Zef Pllumi, Gjergj Simoni të cilët botuan veprat e tyre mbas vitit 1990. Gjithashtu në diasporë tradita e shkrimit vijoi me Arshi Pipën e Martin Camajn dhe në Kosovë me Anton Pashkun.

Kjo temë pati ndërvepruar edhe në debatet e shkrimtarëve duke u ringjallur mbas viteve ‘90. Në kohën e shkrimit të Dakës, autorët e njohur të viteve ’30 dhe ’40, të lëvrimit të gjuhës letrare gegënishte ishin më skeptikët në pranimin e standartit të ri. Ndër ta Nikollë Dakaj mund të jetë i vetmi autor që la një vepër letrare artistike, si dëshmi e oponencës ndaj vendimit për të vendosur “Koinenë” siç e quan autori të gjuhës shqipe. 

Argumentet e tij historike, logjike, ato objektive dhe subjetive arrijnë të transmetojnë nëpërmjet artit të retorikës, bindësinë e autorit të pavarur nga ideologjia. Duke lëvruar vargun klasik, ai shfaq njëkohësisht pasurinë leksikore, sintaktike dhe frazeologjike të gjuhës letrare gege. Nëpërmjet këtij autori mund të shihet dhe historia e zhvillimit të gjuhës letrare gege në fazën e fundit të saj. Mjeshtëria e vargjeve të Dakajt me kadencat, eufoninë dhe rimimet befasuese, shfaqin intertekstet e letërsisë së madhe të përkthyer e të përvetësuar nga ai.

Përveç interteksteve të Homerit, Dantes, Petrarkës dhe autorëve të tjerë lirikë, në poetikën e Nikoll Dakës, funksioni i mendimit bashkëkohor dhe kritika ndaj politikave arsimore vulgare, i bashkohet disidencës së tij, si një prej autorëve më të spikatur të letërsisë dhe pedagogjisë kombëtare.

            KOINEJA

    Të  ndritur , Kostallari , Çabej , Domi,

e  ju  lavruesa  të  fjalës  shqiptare,

sot  flamurtarë  të  koinesë  kombtare ,

që  me  rilindas  i  vegoi  simptomi ,

    për  ta  naltuar  me  lavdí  ke  stomi

kët  ushtimë  burrash  rrufé  shigjetare,

që  nëpër  shekuj  pa  u  tronditur  fare

mbajti  shqiptarin  gjallë  deri  te  i  somi ,

    syni  do  ngritur  kahë  malet  kreshnike,

liri  e  gjuhë  ku  shqipja  arbërore

me  krahë  e  kthetra  ruajti  virgjëresha 

    e  lulëzim , e  përparime  t` shpesha

e  jone  t`ambla  përhapi  kumbore,

shijes  s`përbashkët  kurdoherë  besnike .

    Atje  ku  Dedë  Gjo  Luli  Kuqezí

nga  pluhri  shekullor  flamurin  nxori

e  n` flakë  të  pushkve  bota  vesh  e  mori

se  nuk  rron  dot  shqiptari  pa  liri ,

    kur  Skënderbeu  na  pati  veshë  në  zi , 

mburojë  çeliku  erdh`  e  gjet  jugori

e  u  përqafua  me  të  bashkë  malsori,

e  u  shkrinë  dy  t` folurat  përbukuri .

    Atje  bashkuar  si  kokrrat  në  shegë

e  vllazërisht  të  rrokur  si  shqiptarë,

gjuhë  të  përbashkët  flasin  toskë  e  gegë

    dhe  ambël  vezullon  shkëndija  e  parë,

që  na  rrëfen  se  si  duhet  me  i  djegë

shkurret  që  gjuhës  na  i  kanë  mbijtë  në  arë

    Të  mos  u  themi  pallavrave  dije ,

as  të  mos  kapemi  për  gemba  fyla ,

as  vllau  të  vllanë  tu` e  mënjanua  me  brryla

kurrë  t` mos  e  përjashtojë  trashigimie,

 por  të  dy  bashkë  me  dashuri  e  shije

t` këndojnë  së  bashku  porsi  dy  bylbyla

e  manushaqe  t` mbjellin  zymbyla

në  kopshtin  e  ksaj  gjuhe  Perendie .

    Thjeshtia  t` mbretërojë  e  bukuria

e  t` jehojë  fjala  me  gojë  rrumbullake

si  gurgullima  e  krojeve  ndër  male

    e  n` pah  moria  e  trajtave  të  dale :

malore, qytetare , fusharake

dhe  veshë  e  mendje  t` i  lurtojë  larmia.

    Mbet  shtang  atdheu, papritmas  kur  drejtshkrimi

na  doli  koiné, që  tjetër  s` ishte ,

veç  plot  toskrishtja  plus  fjala  ranishte .

Kongresi  mbarë  u  tund  nga  shungullimi 

    e  arbreshë, e  kosovarë, që  lodhë  mërgimi

e  malli  për  atdhenë  këputë  i  kishte ,

brohoritën  me  tjerët  si  ferishte

pa  ua  pré  mendja  se  ku  ishte  synimi .

    Gjuha  e  tri  t` katrave  të  kombit  tonë ,

gegrishtja  e  lashtë, e  humbi  aty  shtetsinë

pa  të  drejtë  shkolle, shtypi , skene  e  fjale

    as  s` iu  desh  gja  që  bani  aq  jehonë

e  n`kulme  shqipes  ia  çoi  letërsinë :

nji  prej  kryesisë  e  shpalli  klerikale .

    S` ka  atdhetár  që  s` asht  për  koinenë ,

për  shqipen  e  njësuar   vezullore,

ku  t` përpajnohen  t` folmet  krahinore 

e  ku  secili  ta  ndjejë  gjallë  të  venë ;

    ku  e  vjetra  t` gërshetohet  me  të  renë 

e  veriore  t` ecin  e  jugore

të  rrokura  si  motra  dorë  për  dore

me  n` ballë  si  ideal  gjithmonë  atdhenë .

    Por  kur  koineja  t` jetë  vetëm  fjalë  goje,

prapa  së  cilës  me  dredhi  Mineja

kambën  e  ndyrë  edhe  ma  lart  ta  çoje,

    çdo  atdhetár  do  brofë  porsi  rrufeja    

 nga  rrokullima  gjuhën  ta  shpëtoje

e  përpjetë  shtigjeve  t` i  prijë  të  reja .

    S` ecë  para  gjuha  me  ligjë  e  dekrete ,

as  me  vendime  gjuhtarësh  gjysmakë ,

që  vetë  të  zbetë  fjalën  e  kanë  e  t` pakë

e  s`u  shkon  proza  as  vargu  nuk  u  vete .

    Mjeshtria  e  fjalës, zotësi  në  vete,

thithet  në  vogëlí  nga  gjyshja  plakë ,

merr  turr  e  rritet, digjet  zjarr  e  flakë

e  n` gojë  t` poetit  buron  si  mjaltë  blete.

    Poeti  lule  n` lule  porsi  bleta

fjalët  qëmton  e  shprehjet  e  vetishme

që  nëpër  popull  tingullojnë  ma  bukur

    e  thurë  me  to  kangët  e  madhërishme

përmbi  atdhenë  e  anët  që  ka  jeta

me  nji  gjuhë  flakë  që  fluturon  si  flutur .

    Themelet   gjuhës  ia  ngulit  poeti :

në  bark  e  n` shpinë  ai  t` folurat  i  kthen

tue  zgjedhë  çka  trillit  ma  për  shtat  i  bjen,

që  t` mos  përkundet   turbull  si  dallgë  deti ,

    po  qartë  të  vezullojë  ashtu  si  mjeti .

Popullit  e  letrarvet  u  rrëfen

çka  vret  në  vesh  e  veshit  çka  i  pëlqen ,

ç` asht  krunde  e  huaj  dhe  ç` asht  miell  i  veti .

    E  nuk  ven  ligj, por  zgjon  e  kalitë  shijet,

nuk  urren  t` folmet  as  nuk  përbuzë  fiset,

ngado  të  shtrihen  skajeve  t` atdheut ;

    hollë  i  përzien  ai  dritat  e  hijet

e  n` kraharor  i  ngrohë   tëtana  viset,

si  dielli , rrezet  që  ia  hapë  mbarë  dheut .

    Ç` ka  paskajorja  që  të  përjashtohet

nga  gjuha  si  nepërkë, kur  e  përdorë

shumica  e  kombit ? Si,  vallë,  kambë  e  n`dorë ,

larmia  e  tingujve  të  varfërohet?

    Për  çka  theksimi turk  nuk  zëvendsohet 

nga  tonet  tona  të  bjeshkve  me  borë ,

atdheut  e  gjuhës  që  na  i  rrinë  kurorë ,

po  gjuhve  t` huaja  jona  urë  u  shtrohet? 

    Pse  shqipja  jonë  me  plot  lavdí  e  nderë,

titanike  si  populli  që  e  foli,

t` mos  i  rrahë  flatrat  me  u  ngjitë  dhe  nji  herë

    n` fronin  e  bukurisë  ku  motit  ishte ,

kur  gjuhët  tjera  n` at  Europë  ferishte

për  bukuri  asnjena  nuk  ia  doli

    N` djep  kur  belbzonte  fjala  helenike

e  ligjerata  endè  s`kish  lé  romake ,

në  trevat  gjelbrore  ballkanike,

nga  vala  e  Jonit  tek  alpet  verjake ,

    pinjollë  e  landës  s` hershme  pellazgjike ,

njomzë  e  kërthnestë  e  degve  iliro – trake ,

kjo  gjuha  jonë  e  bukur  e  fisnike

në  gojë  t` Orfeut  ushtonte  fluturake

    e  i  shkonin  mbrapa  t` mallëngjyera  pyjet

e  ndaleshin  lumejt  veç  ta  dëgjonin,

e  bashkë  jehonë  i  banin  toka  e  qielli ,

    me  lár  e  lule  edhe  ia  thurnin  fronin

e  bukurisë  mbi  dhé  tok  hana  e  dielli

e  brohorisnin : «Rroftë»!  së  larti  yjet .

    Ajo  qiellorve  e  kreshnikve  u  këndonte,

Diellit  e  Hanës  kreshtave  tue  lé

e  dragojve  ndër  djepa  e  nuses  s` re

e  Tokës  nanë , të  mirat  që  prodhonte.

    E  gojë  në  gojë  jehona  fluturonte

nga  Deti  i  Zi  në  Tunë  e  në  Dioklé

e  dikohej  luginave  rrëké

si  gurrë  hyjnore , që  n` Auzonie  e  çonte

    e  në  Heladë  ujin  e  gjallë  e  t` kthiell,

gojën  e  artë  ku  njomë  e  pat  Homeri ,

mëninë  e  Akilit  për  ta  ngritë  në  qiell .

    Kjo  qe  lavdia  e  gjuhës  sonë  e  nderi

dhe  për  ta  ngjitur  përsëri  ke  gurra ,

nuk  don  kërthingla , por  sokola  e  burra .

 Shkodër, më 1972 nga libri i Nikoll Dakës “Koineja e gjuhes shqipe” Tirane, 2008

Publikoi: Leka Ndoja

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *