Më 17 prill 2025 ka nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjykimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq janë deklaruar të pafajshëm në seancën paraprake dhe akuzohen për pjesëmarrje në një grup të armatosur që synonte cenimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe shkëputjen e pjesës veriore të saj.
Gjatë seancës, prokurori special Naim Abazi theksoi se sulmi ishte i planifikuar dhe kishte për qëllim krijimin e një realiteti të ri politik në veri të Kosovës, me përfshirje të drejtpërdrejtë të strukturave shtetërore të Serbisë. Ai tha se ky rast nuk është vetëm çështje penale, por përbën sfidë serioze për rendin kushtetues dhe bashkëjetesën ndëretnike në vend.
Gjykata vendosi përjashtimin e policit hetues Jeton Jetullahu nga salla pasi u konsiderua se mund të jetë dëshmitar në proces. Ndërkohë, përveç tre të pandehurve të pranishëm, 42 të tjerë, përfshirë edhe liderin e grupit Milan Radoiçiq, janë në arrati. Të gjithë të akuzuarit ngarkohen me vepra të rënda penale si “kryerja e veprës terroriste”, “shpërlarja e parave” dhe “rrezikimi i sigurisë së Republikës së Kosovës”.