Nisi sot në tribunalin e Hagës procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Pas leximit të aktakuzës nga Prokuoria, katër ish-drejtuesit e UÇK-së deklaruan se janë të pafajshëm dhe nuk kanë asnjë lidhje me akuzat e drejtuara ndaj tyre.
“E kuptoj aktakuzën, jam plotësisht i pafajshëm.” – deklaroi ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.
“E shpreh pakënaqësinë time për një vonesë 2 vite e gjysmë, por ju falënderoj. Deklarohem tërësisht i pafajshëm.” – tha Kadri Veseli.
“Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.” – u shpreh Rexhep Selimi.
“E kam të vështirë të kuptoj akuzën dhe mënyrën si është përpiluar kjo akuzë. Nuk kam asnjë lidhje me asnjërën nga pikat që i lexoi prokurorja para pak minutash. Akuzën e kuptoj siç është, por nuk pajtohem me të, pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për çfarë flet akuza. Plotësisht i pafajshëm.”- deklaroi Jakup Krasniqi.
Prokurori lexoi pjesërisht aktakuzën me 10 pika duke theksuar se ky nuk është një proces ndaj UÇK-së, por ndaj katër individëve konkretë.
Po ashtu, gjatë leximit të aktakuzës, prokurori theksoi se Hashim Thaçi ka ardhur disa herë fshehurazi në tribunalin e Hagës.
Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe ata po mbahen në qelitë e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.