20 mijë studentë u ulën për të parën herë në auditoret e universiteteve në nisjen e vitit të ri akademik 2023-2024.
Por ndryshe e nisën këtë viti akademik studentët e mjekësisë të cilët dolën në protestë për të kundërshtuar vendimin e qeverisë që i detyron të punojnë për 5 vjet pas përfundimit të studimeve.
Studentët kundërshtuan sërish vendimin duke u shprehur se ai shkel të drejtat e tyre themelore dhe u zotuan se nuk do e ndalin protestën e tyre.
“Nuk po luftojmë vetëm për një të drejtë tonën. Kemi që nga korriku që protestojmë. Kjo është vetëm dita e parë e bojkotit, shpresoj që në ditët në vijim do të jemi më shumë. Mjekësia është elita e këtij vendi. Ne nuk jemi tradhtarë, siç na kanë përmendur. Është tjetërkush që shpërdoron të ardhurat e këtij populli. Ne jemi ata, që sakrifikojmë sa e sa vite për t’i shërbyer këtij populli. Ligji për mjekësinë është i padrejtë. Për këtë arsye Mjekësia do të bojkotojë. Shumë ë vërtetë që mjekët largohen, por ky është faji individual i atyre që ikin dhe faji i instancave shtetërore, që nuk ua mundësojnë kushtet dhe sigurinë. Për këtë arsye mjekët largohen.”- u shpreh një prej studentëve.