Nga Shaban Murati
Botuar në DITA
Vizita treditore 27-29 mars e presidentes së Greqisë Katerina Sakellaropullu në Beograd është interesante për t’u parë nga këndvështrimi i dinamikës së pandryshueshme të faktorit shekullor antishqiptar në rajon.
Pas bisedimeve me presidentin serb Vuçiç, dhe disa herë me krerë të tjerë të lartë serbë, presidentja greke theksoi dhe e përsëriti si refren se “Qendrimi i Greqisë për mosnjohjen e Kosovës nuk ka ndryshuar. Ka patur gjithnjë presione për këtë, por kjo nuk e prek qendrimin tonë”.
Në situatën e tanishme diplomatike rajonale dhe europiane konfirmimi zyrtar i presidentes greke se Greqia to të vazhdojë mosnjohjen e Kosovës, paraqet interes të veçantë. Pikërisht se afishohet në kohën e përpjekjeve të tanishme diplomatike perëndimore për zgjidhjen e konfliktit Serbi-Kosovë, kësaj deklarate presidenciale greke i kushtoi vëmendje dhe jehonë të madhe blloku i propagandës së shteteve, që nuk janë për zgjidhjen e këtij konflikti si Serbia, Rusia e deri te Kina.
Konfirmimi i ri i qendrimit të vjetër të ngurosur të shtetit grek merr disa domethënie të reja.
Së pari, tregon qëndrimin armiqësor antishqiptar të Greqisë jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Rikonfirmohet qëllimisht tani ky qendrim si kundërvënie ndaj SHBA dhe BE, që janë angazhuar më konkretisht se më parë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet planit të BE, të pranuar në 27 shkurt dhe në 18 mars nga dy shtetet, Kosovë dhe Serbi.
Në kohën që diplomacia amerikane dhe europiane janë angazhuar maksimalisht për uljen e tensioneve dhe qetësimin e ujrave midis Serbisë dhe Kosovës, del presidentja greke dhe nxit intrasigjencën e presidentit serb dhe të Serbisë për ruajtjen e konfliktit të ngrirë midis dy shteteve fqinjë. Ndaj dhe presidenti serb u entusiazmua aq shumë dhe hymnizoi “marrëdhëniet motërore dhe vëllazërore midis Serbisë dhe Greqisë”(!). Ndoshta rradhën tjetër do të shtojë dhe superlativat “amësore dhe atërore”.
Së dyti, qendrimi i shprehur në Beograd nga presidentja greke se Athina nuk e njeh Kosovën sepse respekton ligjin ndërkombëtar, bie ndesh jo vetëm me ligjin ndërkombëtar dhe me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila përfaqëson ligjin ndërkombëtar dhe ka shpalllur vendimin për ligjëshmërinë e pavarësisë së Kosovës, por bie ndesh edhe me planin e ri të BE për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, i pranuar në Bruksel në 27 shkurt.
Në nenin 1 të këtij plani të BE thuhet se “Palët (Kosova dhe Serbia) do të zhvillojnë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me njera-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta. Të dy palët do të njohin reciprokisht dokumentat dhe simbolet kombëtare”. Në nenin 2 theksohet se palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB, veçanërisht ato për barazinë sovrane të shteteve, respektit për pavarësinë dhe integritetin territorial. Në nenin 4 theksohet se asnjera prej dy palëve nuk mund të përfaqësojë tjetrën në arenën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të palës tjetër.
Presidentja greke me siguri e ka lexuar planin e BE të miratuar nga qeveria e saj në Bruksel, por ajo i kundërvihet hapur neneve dhe kushteve të BE për normalizim, dhe inkurajon Serbinë të mos i zbatojë angazhimet dhe detyrimet e marra para BE.
Së treti, presidentja greke deklaroi në Beograd se qëllimi strategjik i Greqisë është hyrja e Ballkanit Perëndimor në BE. Është një impostim demagogjik, sepse nuk mund të jetë e vërtetë që Greqia është për anëtarësimin e rajonit, kur ajo nuk njeh Kosovën, një shtet i rëndësishëm i rajonit.
Së katërti, presidentja greke në fakt komprometoi edhe pretedimin e ri të qeverisë dhe të diplomacisë greke për një rol të ri të Greqisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo aspiratë e diplomacisë greke u shpall zyrtarisht në qershorin e vitit 2022, kur Athina emëroi një të dërguar të posaçëm grek për Ballkanin Perëndimor, një pretenciozitet i madh, sepse të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor nuk kanë caktuar as shtete të mëdha të BE si Italia, Franca apo Spanja.
Në takimin, që zhvilloi në Beograd në 22 mars me presidentin serb Vuçiç, ministri i jashtëm grek Dendias deklaroi se “Greqia si mik historik i Serbisë, ka rol për të luajtur në axhendën shumë të rëndësishme të Ballkanit Perëndimor”. Pra edhe rolin e saj rajonal Athina e koncepton në funksion të interesave të Serbisë.
Diagrama aktuale diplomatike në Ballkanin Perëndimor zbulon një disonancë midis këmbënguljes së presidentes greke për vazhdimin e mosnjohjes së Kosovës, dhe veprimit intensiv të diplomacisë greke në drejtim të Kosovës. Në 12 mars Dendias ishte për vizitë dhe bisedime në Prishtinë në një kohë që kishte qenë atje edhe në 22 dhjetor 2022. Kronikat rregjistrojnë se Dendias ka qenë deri tani gjashtë herë për vizita dhe bisedime në Kosove.
Kjo frekuencë e pazakontë diplomatike e ministrit të jashtëm grek në një shtet, të cilin nuk e njeh zyrtarisht, i ka dhënë shkas spekullimeve se Greqia do ta njohë sëshpejti Kosovën. Deklarata zyrtare e presidentes greke në 28 mars kundër njohjes së Kosovës nga Greqia hedh dush të ftohtë mbi çdo lloj optimizmi të parakohshëm në këtë drejtim. Këtë është mirë ta mbajnë shënim edhe në zyrat diplomatike të Kosovës.
Çfarëdo premtimi, që mund të ketë bërë ministri i jashtëm grek në 12 mars në takimet e veçuara kokë më kokë me të tre emrat kryesorë të Prishtinës, (një protokoll i habitshëm diplomatik), duhet marrë me rezervë të madhe. Shefi i diplomacisë greke nuk shkon pareshtur në Prishtinë për të shtruar rrugën e njohjes. Ai shkon për të shtruar rrugën e pranisë dhe të ndikimit grek në Kosovë, që ta përdorur si dëshmi e influencës së Greqisë në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Sepse është tepër e thjeshtë. Greqia nuk ka asnjë pengesë diplomatike, politike dhe logjike që ta njohë Kosovën. Nuk e njeh vetëm për hatër të Serbisë, aleancën me të cilën e vlerëson më të rëndësishme se marrëdhëniet me Shqipërinë dhe me Kosovën sëbashku. E bën vetëm për Serbinë, me të cilën në vitin 2019 kryeministri Micotaqis dhe presidenti Vuçiç kanë nëshkruar marrëveshjen e partneritetit strategjik, gjë që Greqia nuk e ka bërë me asnjë shtet tjetër ballkanik, dhe as me Shqipërinë, që është anëtare e NATO-s.
Nga pesë shtetet e BE, që nuk e njohin Kosovën Greqia është shteti, që nuk ka asnjë pretekst qoftë dhe formal për të mos e njohur. Është aleanca strategjike, historike dhe fetare me Serbinë ajo që e pengon Greqinë ta ndërmarrë hapin e njohjes. Ndaj presidentja greke u lavdërua në Beograd që Athina i ka rezistuar presionit ë jashtëm dipomatik për të njohur Kosovën dhe mediat serbe dhe greke theksuan me këtë rast se presioni ka qenë nga SHBA.
Së pesti, qendrimet antishqiptare të presidentes greke në Beograd janë të rëndësishme për t’i ballafaquar dhe për të kuptuar të vërtetën e gjërave në marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë. Në datën 28 mars 2023 gazeta greke “Ekathimerini” botoi intervistën e saj me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili deklaron me gojën plot: ” Ne me Greqinë kemi marrëdhënie fantastike”.
Është një kualifikim absurd, që nuk është dëgjuar as në kohërat e servilizmit të Shqipërisë me Beogradin, me Moskën dhe me Pekinin. Kemi një terminologji me tingull erotik, e cila nuk mund të përdoret kurrë për marrëdhëniet midis dy shteteve apo midis dy kryeministrave të dy shteteve. Duhet thënë se kjo terminologji nuk ka lidhje as me diplomacinë, as me politikën dhe as me logjikën.
Mund të jetë ndjenjë apo detyrim personal i një politikani, i cili ndoshta e ndjen veten në qiellin e shtatë vetëm pse qeveria greke i organizoi me financimin e saj një ekspozitë pikturash në Athinë. Çdo njeri i thjeshtë në Shqipëri i bën pyetjen vetes se si mund të jenë fantastike marrëdhëniet me një shtet, që mban në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë rreth 80 vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Nuk mund mos të pyesësh veten nëse mund të shqiptohet ky superlativ për shtetin fqinj, që nuk njeh Kosovën, shtetin tjetër shqiptar, gjysmën e kombit dhe të gjakut shqiptar, në një kohë që katër drejtuesit kryesorë grekë, që takoi kryeministri i Shqipërisë në Athinë në 20-21 mars, i kërkuan të gjithë status të veçantë për minoritetin grek dhe sipas buriveve diplomatike greke i kërkuan edhe njohjen e autonomisë për minoritetin grek.
Ekspozita dhe vizita politiko-artistike e Ramës në Athinë pati pra një çmim të caktuar grek. Në asnjë takim në Athinë me katër drejtuesit e shtetit grek kryeministri i Shqipërisë nuk kërkoi njohjen e Kosovës. Nuk kërkoi kryeministri i Shqipërisë nga bashkëbiseduesit e lartë grekë njohjen dhe zgjidhjen e çeshtjes çame, madje nuk e përmendi në asnjë rast në daljet e tij publike në Athinë.
Ai u premtoi se pas zgjedhjeve parlamentare të majit 2023 në Greqi qeveria e tij do të nënshkruajë marrëveshjen e dëmshme në diskutim e sipër midis dy ministrive të jashtëme për të vajtur të dy shtetet sëbashku në Gjykatën e Hagës për temën e detit, një marrëveshje që plotëson rivendikimet greke ndaj territorit detar shqiptar.
Nënshtrimi i qeverisë së Shqipërisë dëshmohet edhe nga fakti që ajo ka pranuar në qershor të vitit 2022 që rivendikimet greke për detin shqiptar të jenë si kusht në Kornizën e bisedimeve të pranimit të BE me Shqipërinë.
Ka një element të ri interesant nga bisedimet e presidentes greke në Beograd. Presidenti serb për herë të parë deklaroi se Serbia mbështet integritetin e shtetit grek në tokë, në det dhe në ishujt. Ai e lëshoi këtë si shpërblim për qendrimin e presidentes greke për mosnjohjn e Kosovës.
Në kohën kur askush nuk e vë në dyshim integritetin territorial të Greqisë, është e dyshimtë pse Vuçiç do të dilte për herë të parë te deti dhe tek ishujt. Kjo duhet marrë si shenjë se dy presidentët kanë biseduar në Beograd edhe për problemet detare me Turqinë dhe me Shqipërinë dhe Serbia shpreh publikisht përkrahjen për rivendikimet e Greqisë në detin Egje ndaj Turqisë dhe në detin Jon ndaj Shqipërisë.
Kujtojmë se pretendimet e reja greke për kufij të rij detarë për detin dhe për ishujt grekë përballë Shqipërisë Athina po këmbëngul t’i përfshijë në marrrëveshjen e re, që po diskutohet midis dy shteteve për të shkuar sëbashku në Hagë. Duket presidentja greke i ka kërkuar presidentit serb përkrahje dipomatike për këtë çeshtje, përderisa ai doli dhe foli për të drejat greke për detin dhe për ishujt.
Diplomacia është punë serioze dhe jo frymëzim çasti artistik. Diplomacia duhet të ndjekë me skrupullozitet profesional në çdo hap lojrat dhe intrigat e vjetra dhe të reja kundër faktorit shqiptar në rajon nga shtete, që nuk i kanë dashur historikisht të mirën kombit shqiptar.