Nga Arilda Lleshi

Ne shqiptarët kemi histori shumë të freskët refugjatësh, edhe brenda familjeve tona të ngushta, e brengën e refugjatëve e kuptojmë mirë. Teksa solidarizohem me këdo që dhunshëm i duhet të lërë gjithçka të tijën pas, drejt një të ardhme të pasigurtë, nuk e mbështes vendimin e qeverisë për të vendosur refugjatë në Shqipëri që janë nisur për në Itali. 

Për të fituar pikë me vendet europiane, nën petkun e humanizmit globalist, Rama përzgjodhi projektin e rradhës: kamp refugjatësh me kapacitet 3,000 persona në muaj në Shëngjin dhe Gjadër. Jam kundër për këto arsye: 

1. Një teori morale mbi pritjen e refugjatëve: Ne do të kishim një obligim moral që t’i merrnim këta refugjatë nëse janë nisur për te ne ose po kalojnë përmes territorit tonë, madje edhe përtej mundësive tona. Ne do të kishim një obligim moral ta lehtësonim dhimbjen e dikujt që vjen te ne, por nuk kemi një obligim moral të zgjidhim problemet e gjithë botës. Do të ishte e pamundur dhe jo obliguese të merrnim përgjegjësi morale për të gjitha dhimbjet e kësaj bote. Për shembull, unë nuk jam moralisht përgjegjëse se nuk po bëj mjaftueshëm për persekutimin e Ujgurëve në Kinë. Ashtu edhe Kryeministri shqiptar mund të dalë i pastër para çdo tribunaleje të drejtësisë hyjnore nëse nuk i merr këta refugjatë, por do të mbahet përgjegjës për mizerinë që shkakton me dorën e tij mbi popullin e tij. 

2. Vend rehabilitimi për problemet e botës: Lideri global humanist, Rama, e ka kthyer përmbys këtë teori morale. Përgjegjës për çka ndodh në botë, po jo për çka ndodh në Shqipëri. Armët kimike të Sirisë, muxhahedinët e Iranit, refugjatët afganë dhe tani refugjatët afrikanë janë eksportime të problemeve të botës në Shqipëri. Por kurrë nuk mban përgjegjësi për emigrimin masiv, kriminalitetin dhe korrupsionin në vend. 

3. Destinacion turistik apo kamp refugjatësh: Shëngjini është destinacion turistik. Edhe kështu si është, Shëngjini nuk e përballon mirë fluksin e turistave në verë. Plazhe dhe restorante të tejmbushura, vështirësi parkingu dhe lëvizjeje. Shtoji këtu edhe 3,000 refugjatë në muaj edhe bëhet kaos, edhe në rastin më të mirë që nuk cedon siguria. Nga rasti i Lampeduzës, ishullit në Mesdhe që është përdorur si vend tranzit për refugjatët, mësojmë se vendosja e refugjatëve ka një impakt në turizëm. Ka patur ulje të numrit të turistëve në vitin që kishte ardhjen më të madhe të refugjatëve, pastaj turizmi është stabilizuar pasi refugjatët janë vendosur veçmas. Mirëpo, nuk shoh se ku mund ta vendosësh një kamp të përkohshëm për screening në Shëngjin që nuk është në kontakt me hotelet e turistat. 

4. Siguria për turistët dhe komunitetin: Policia jonë e kriminalizuar dhe jo-efektive nuk është e gatshme për një situatë të tillë. Pavarësisht se ne kemi tashmë një eskperiencë me refugjatët afganë po në Shëngjin, refugjatët afganë kanë kaluar përmes një procesi rigoroz kontrolli për të ardhur në Shqipëri, përfshirë edhe marrjen e një letre rekomandimi nga një punonjës amerikan. Refugjatët që vijnë me anije nga Afrika do e kalojnë procesin e kontrollit në Shëngjin. Mund të mos ndodhë asgjë, mund të ndodhë gjithçka. Këtu marrim sërish si referencë rastin e Lampeduzës, ku në një pikë ka pasur dhunë mes refugjatëve, policisë dhe banorëve vendas. 

5. Ndjeshmëria e komunitetit: Do ketë dy pika qëndrimi, Shëngjin dhe Gjadër. Në këto vende, njerëzit mund të kenë parë një njeri me ngjyrë vetëm në filma. Në vendimet që merr qeveria, duhet të mendojë edhe për ndjeshmëritë e njerëzve dhe për tensionet potenciale që vendime të tilla mund të shkaktojnë. 

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *