Nga Besmir Lushaj
25 marsin e vitit 1999-të, vetëm një ditë pas nisjes së bombardimeve të Natos-s ndaj Serbisë, forca me uniforma të rregullta të ushtrisë serbe u futën forcërisht në banesën e avokatit Bajram Kelmendi duke marrë forcërisht atë dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin. Që nga ajo ditë, emrat e avokat Kelmendit dhe dy djemve të tij figurojnë në listat e të zhdukurve gjatë luftës së Kosovës.
Rrëmbimi dhe më pas zhdukja e avokat Bajram Kelmendit dhe djemve të tij ishte epilogu i një përplasje të gjatë që avokati nga Rugova kishte patur me regjimin pushtues serb në Kosovë.
Që në moshë të mitur, Bajram Kelmendi do të provonte qelinë e burgut kur do të shoqërohej bashkë me familjarët e tij të akuzuar si kundërshtarë të regjimit në Kosovën e pasluftës së dytë botërore. Burgut do i rikthehej sërish në adoleshencën e tij, kur në vitin 1957-të arrestohet për shkrimet e tij kundër dëbimit të shqiptarëve të Kosovës drejt Turqisë. Mbahet për 18 muaj në qeli duke iu nënshtruar torturave sistematike. Persekutimi dhe vuajtjet e vegjëlisë dhe ato të adoleshencës formësuan karakterin rebel të Kelmendit, karakter i cili do të shpalosej gjatë karrierës së tij si avokat pasi kishte përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Prishtinës.
Në vitet ’80-ë Bajram Kelmendi do të ishte zëri i shqiptarëve të dhunuar e përndjekur nga regjimi serb duke u afirmuar në radhët e shqiptarëve jo vetëm si avokat i përgafitur, por dhe si mbrojtës i zellshëm i çështjes kombëtare. Në bashkëpunim me akademik Gazmend Zajmin në fillimvitet ’90-të hartojnë kuadrin juridik që do t’i përgjigjej Republikës së Kosovës të shpallur nga kuvendi i saj si dhe përpjekjeve në vazhdim për shkëputje të plotë nga kornizat kushtetuese të ish-Jugosllavisë. Po gjatë kësaj periudhe avokat Kelmendi në shtypin e kohës do të akuzonte Sllobodan Millosheviqin për krime dhe respresion ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Kulmi i veprimtarisë së avokat Bajram Kelmendit do të ishte viti 1995-ë kur ai vihet në kontakt me strukturat e Gjykatës së Hagës. Nexhi Rexhepi, një ish-përkthyes pranë kësaj gjykate, në një intervistë të tij kujtonte takimin e avokat Kelmendit me përfaqësuesin e Zyrës për Evropën Juglindore në qeverinë hollandeze. Avokat Kelmendi kishte filluar parashtrimet e tij për krimet e Millosheviqit, ndërkohë që biseda ishte ndërprerë pas pak minuitash. Sipas kujtimeve të Rexhepit zyrtari hollandez klshte kërkuar një salle më të madhe ku Kelmendi të bënte parashtrimet e tij, sepse kishin të bënin me një personalitet dhe kapacitet të rrallë në jurispudencë. Dhe ashtu kishte ndodhur, Bajram Kelmendi, në një sallë me prokurorë dhe gjykatës në Hagë, kishte parashtruar akuzat për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviqit duke iniciuar të parin hetim zyrtar për krime lufte ndaj ish-kasapit të Ballkanit.
Fillimi i luftës në Kosovë e gjen sërish avokat Kelmendin në llogoren e përballjes me regjimin e Millosheviqit. Ai guxon të mbrojë në procese gjyqësore grupin e Adem jasharit të akuzuar nga Beogradi për veprimtari terroriste. Në nëntorin e vitit 1998-të, kur lufta në Kosovë ishte intensifikuar, gjatë një konference në Beograd, avokat Kelmendi e akuzon drejtpërdrejt Sllobodan Millosheviqin se gjatë dhjetë muajve të parë të atij viti kishte vrarë mbi 1700 civilë shqiptarë, mes tyre 189 fëmijë. Bajram Kelmedi përfshihet në grupin prej 15 përfaqësueve të Kosovës në dialogun me Serbinë propozuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova. Po ashtu ai ishte një nga këshilltarët juridikë të delegacionit shqiptar në Konferencën e Rambujesë duke hartuar konsulenca të vyera për delegacionin shqiptar në atë zhvillim me rëndësi jetike për fatet e Kosovës.
E gjithë kjo veprimtari në shërbim të çështjes kombëtare duket se ishte arkivuar mirë dhe nga Beogradi. Sllobodan Millosheviq nuk mund t’ia falte padinë ndaj tij në tribunalin e Hagës, po ashtu dhe fjalimin e hapur kundër tij në Beograd. Hakmarrja erdhi në momentin më të volitshëm, sapo Nato nisi ofensivën ndaj Serbisë, Të nesërmen, më 25 mars të 1999-ës trupat serbe hyjnë në banesën e avokat Bajram Kelmendit për të marrë forcërisht atë dhe dy djemtë e tij, Kastriotin, 30 vjeç dhe Kushtrimin, 16 vjeç. Që nga ajo ditë, asgjë nuk u mor vesh për fatin e avokat Bajram Kelmendit dhe djemve të tij. Shtëpia e avokat Kelmendit, tashmë pasuri e trashëgimisë historike të Kosovës, duket të jetë njëkohësisht muzeu dhe obelisk i veprës së tij të çmuar në shërbim të atdheut dhe të drejtave dhe lirive njerëzore.