Nga Ermal Mulosmani
Pas tri ditësh, në qytetin polak të Wroclaw-it (Vroclav shqiptohet — një nga tre qytetet më të mëdha të Polonisë, me një popullsi mbi 1 milion banorë), do të jepet çmimi më i rëndësishëm letrar për letërsinë nga Evropa Qendrore dhe Lindore.
Çmimi quhet Angelus dhe shoqërohet me një shpërblim për fituesin në vlerën e mbi 35 mijë eurove (150,000 zlotë polakë).
Çmimi është vjetor dhe jepet për botimet e vitit paraardhës nga shtëpitë botuese polake. Ato përzgjedhin titujt më të rëndësishëm sipas tyre dhe i rekomandojnë për konkurrim. Për vitin 2025 u paraqitën për vlerësim fillestar 137 tituj, prej të cilëve Juria Ndërkombëtare përzgjodhi 14 në fazën gjysmëfinale. Nga këta, në finalen e madhe të Angelus Award kaluan vetëm 7 tituj.
Për të dhënë një ide se çfarë përfaqëson ky çmim, e gjej me vend të përmend se Ismail Kadare ka qenë tri herë në fazën finale të tij, por nuk e ka fituar dot. Ai ka konkurruar me Pallatin e Ëndrrave (2007), Qorrfermanin (2011) dhe Aksidentin (2014). Por Kadare nuk ka qenë i vetmi shqiptar që është kualifikuar në fazën finale. I pari ka qenë Luan Starova, në edicionin inaugurues të çmimit, në vitin 2006, me romanin Koha e Dhive. Edhe ai nuk fitoi.
Përveç Kadaresë, janë edhe disa shkrimtarë të famshëm ndërkombëtarë që nuk e kanë fituar dot këtë çmim. P.sh., në vitin 2007 konkurroi edhe nobelisti hungarez Imre Kertész; në vitet 2008 dhe 2012 — nobelisti i sivjetshëm László Krasznahorkai; në vitin 2008 ishte kandidat Günter Grass; ndërsa në vitet 2008 dhe 2015 — nobelistja Olga Tokarczuk, e kështu me radhë.
Asnjëri prej tyre nuk e fitoi Angelusin.
Sivjet është një tjetër shqiptar i kualifikuar në fazën finale të Angelus Award: Fatos Lubonja, me librin aq të dashur për mua, Ridënimi. Ai është i treti pas Starovës (2006) dhe Kadaresë.
Ridënimi është një kryevepër letrare dhe një rrëfim kurajoz, mjaft tronditës, i përjetimit të frikës ekzistenciale në vetë të parë nga autori.
Me pak fjalë, libri rrëfen ridënimin e dy të dënuarve për “agjitacion e propagandë”, për një letër që ata i kishin dërguar Enver Hoxhës. Janë Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, të dënuarit — dy gazetarë që kishin mbaruar studimet në ish-Bashkimin Sovjetik. Ata i bënin thirrje Enver Hoxhës që të rregullonte raportet me sovjetikët, sepse, sipas tyre, rruga që kishte marrë ai e çonte vendin në qorrsokak. Duket si një naivitet, kur e mendon gjendjen nga e cila niseshin, por absurditeti komunist vendos të japë ndëshkime shembullore.
Cili është fati i këtyre të dënuarve dhe çfarë e lidh Lubonjën me ta? Pikërisht kjo është tema e librit. Është një libër tronditës, ku ndriçohet përcudnimi i marrëdhënieve të njeriut me njeriun, ku provohen kufijtë ekstremë të tmerrit, ku tragjikja konkuron në çdo faqe me absurden dhe të mban pezull deri në rreshtin e fundit.
Unë po veçoj vetëm dy pasazhe të shkurtra nga libri.
Në njërin, është transferimi i Lubonjës nga Spaçi në Tiranë pas pesë vitesh burg. Është dimër i ftohtë dhe autoburgu mbërrin natën në Tiranë. Është diku në fillim të librit. Autori nuk e ka as të qartë se për çfarë e kanë thirrur në Tiranë, por sigurisht e ka të qartë që do të jetë diçka e keqe — më e keqe se Spaçi…
“Kur hymë në Tiranë, ishte errur plotësisht. Tek sheshi i Zogut të Zi mori majtas unazës. Fillova të ndjehesha si i ndarë midis ndjenjës së ankthit dhe kuriozitetit për të parë, pas pesë vjetësh, diçka nga qyteti i lindjes.
Më shumë se gjithçka më tërhoqën dritat e dhomave nëpër apartamentet e pallateve të unazës, prapa të cilave gjallonte jeta familjare, mungesën e së cilës e ndjeja aq shumë.
Kisha dëshirë të depërtoja me imagjinatë brenda atyre kubeve të ndritshme të mbushura me njerëz, e ndërkaq parashikoja se, pas pak, sipas të gjitha gjasave, do të më fusnin në një kub krejtësisht të zbrazët e të errët.”
Ndërsa fragmentin tjetër e kam marrë nga fundi i librit. Tashmë jemi në sallën e gjyqit, po jepen dënimet. Fadil Kokomani është dënuar me vdekje si “kryetar i organizatës armiqësore”. Qëndrimi i tij në gjyq është heroik. Të tjerët, përfshirë edhe Lubonjën, kanë shpëtuar jetën.
Gjyqi ka vetëm një mister:
A do të pushkatohet Vangjel Lezho, apo do të shpëtojë?
Shanset janë shumë të vogla, por shpresa lexohet. Jepet dënimi: Me pushkatim!
Këtu është një pasazh i tmerrshëm. Tregon sesi Fadili, i cili e kishte marrë dënimin më parë, e pret me njëfarë ngazëllimi të përzier me dashuri dënimin e mikut të vet më të mirë. Ja sesi e përshkruan këtë moment Lubonja:
“Ktheva edhe një herë kokën nga Fadili. Fytyra e tij mbetej e kthjellët, pa asnjë shenjë tmerri. Ai i buzëqeshi Vangjelit përsëri me dashuri.
Më ka mbetur enigmë ajo buzëqeshje dhe ajo kthjellësi. M’u duk sikur ajo shprehte edhe njëfarë çlirimi nga frika se mos shkonte në varr pa shokun e tij; sikur ishte i lumtur që, së paku, nuk do të përjetonte i vetëm tmerrin e vdekjes.
Por bashkë me egoizmin e përbindshëm njerëzor, në atë shprehje ndjehej gjithashtu që ai e donte Vangjelin në ato çaste më shumë se kurrë; sikur e shikonte me dhembshuri e dashuri si një vëlla të vogël, paksa të trembur përpara gropës së errët ku po drejtoheshin; sikur ndjente përgjegjësi për ta ndihmuar në përfundimin e rrugës që kishin nisur së bashku dhe që tani kishte arritur në fazën e saj më të vështirë.”
Ridënimi është libri më tronditës që kam lexuar për komunizmin në Shqipëri.
Megjithëse heronjtë e këtij libri janë pak absurdë në kuptimin që japin jetën për një kauzë pa kuptim (afrimin me sovjetikët), letërsia që ka shkruar Fatosi e meriton një çmim dinjitoz.