Një grua e arratisur nga Koreja e Veriut ka ngritur padi penale dhe civile kundër udhëheqësit të vendit, Kim Jong Un, duke e akuzuar për trajtim çnjerëzor gjatë kohës kur ishte e ndaluar në vendin e saj. Kjo është hera e parë që një qytetare e lindur në Korenë e Veriut ndërmerr veprime ligjore kundër regjimit të Phenianit.
Choi Min-kyung u largua drejt Kinës në vitin 1997, ku më vonë u kap dhe u dërgua me forcë në Korenë e Veriut, në vitin 2008. Ajo thotë se pas kthimit u mbajt në paraburgim, ku u dhunua seksualisht dhe u torturua nga autoritetet.
Rasti do të dorëzohet në gjykatë në Seul, me mbështetjen e një organizate për të drejtat e njeriut që vepron në Korenë e Jugut. Sipas kësaj organizate, padia synon të hedhë dritë mbi abuzimet që përjetojnë shumë njerëz nën regjimin diktatorial të Koresë së Veriut.
Autoritetet në Phenian nuk janë prononcuar mbi këtë rast dhe zakonisht i cilësojnë këto akuza si propagandë të huaj.