Nga Mehmet Elezi
Po sulmohet Noli, në mënyrë bizantine. E bëjnë duke qarkulluar në internet një poezi, të sajuar kthinave të errëta. Një strofë sot, një nesër. Njerëzit e do krahinave, në qiell, të krahinave të tjera, blozë! Dhe “e ka shkruar Noli”!
E përhapin bjerraditës të feisbukut, por edhe ca të vetëshpallur intelektualë, mlitantë të pavarur të pushtetit.
Paska edhe një strofë për “tropojanët”.
Injoranca nuk njeh kufi. Në asnjë libër, shkrim, shkresë, faturë çfarëdolloj të kohës ndërmjet dy Luftave Botërore nuk gjindet fjala «tropojan», për mirë as për keq. Sepse vetë treva që njihet sot me emrin Tropojë, asokohe quhej Malsia e Gjakovës. Rrethi i Tropojës u sajua pas “çlirimit” mbi emrin e një katundi të vogël, që kish shërbyer herë-herë edhe si qendër e vogël administrative. Emri “tropojan” është krijuar edhe më vonë.
Është tepër i madh Noli, për t’i lënë në derë kopilin e përçarjes «me art» të shqiptarëve. Përçarësit janë të tjerë.
U përshtatet një përgjigje e Konicës, por s’ma zë goja.
Nga libri “Shkrimtar pa leje”