Nga Abdulla Diku

Pas një pune intensive dyvjeçare, Parku Kombëtar ‘Prespa’ ka tashmë hartën e habitateve, përgatitur me kujdes maksimal dhe sipas standardeve të Natura 2000, duke u bërë kështu zona e parë e mbrojtur në Shqipëri që ka një hartë të tillë.
Në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Athinës dhe Fakultetin e Pyjeve të Selanikut, si dhe një grup ekspertësh nga Shqipëria, harta e habitateve të Parkut Kombëtar “Prespa” është një zhvillim i madh dhe shumë pozitiv në drejtim të menaxhimit bashkëkohor të parkut.

Çfarë është habitati?

Një habitat është “shtëpia” ose mjedisi natyror i një bime, kafshe ose organizmi tjetër. Ai u siguron organizmave që jetojnë atje ushqim, ujë, strehim dhe hapësirë për të mbijetuar.

Çfarë është harta e habitateve?

Harta e habitatit është një analizë ose studim i ekologjisë së një zone, duke përfshirë identifikimin e specieve dhe habitateve të bimëve në natyrë. Hartografimi përfshin ekzistencën e specieve dominuese, llojeve të rralla dhe me rëndësi si dhe zonave të ruajtjes.

Pse është e rëndësishme harta e habitateve?

Harta e habitateve luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e njohurive për të mbështetur zbatimin e Strategjisë së BE-së për Biodiversitetin. Studimet e habitatit dhe vegjetacionit mund të përdoren gjithashtu në një sërë fushash të ndryshme politikash, nga përcaktimi i zonave të mbrojtura deri te planifikimi hapësinor. Nga ana tjetër, hartografimi i habitateve na ndihmon të shohim gjendjen e specieve, tendencat dhe ndikimin e pritshëm mjedisor mbi to. Një rëndësi tjetër që ka harta e habitateve është se çdo habitat kërkon një mënyrë unike menaxhimi, ndryshe nga sa është vepruar deri tani ku një zonë e mbrojtur menaxhohet (aq sa…) si e tërë.

Si bëhet një hartë habitatesh?

Harta e habitateve dhe vegjetacionit shpesh përfshin shumë metoda të ndryshme, të tilla si vëzhgimet në terren, vëzhgimet satelitore dhe analizat statistikore.

Natura 2000 është një rrjet zonash të mbrojtura në të gjithë Bashkimin Evropian, me synimin për të ofruar mbrojtje të habitateve dhe llojeve të faunës dhe florës së egër me interes të Komunitetit.
Shqipëria, si vend kandidat për në BE, e ka për detyrë që për çdo zonë të mbrojtur të bëjë hartën e habitateve të saj (si çdo vend anëtar i BE-së). Prespa bëhet kështu zona e parë e mbrojtur në Shqipëri e cila ka një hartë të tillë të përgatitur bazuar në praktikat më të mira të hartografimit të habitateve sipas Natura 2000.

Sa e lehtë është të bësh një hartë habitatesh?

Është aq e lehtë sa do të duhet që çdo metër katror të parkut ta lash me djersë, duke e shkelur me këmbë e duke parë e shënuar gjithçka, si dhe duke përdorur analiza statistikore për të përpunuar të dhënat.
Në fund, produkti është vetëm një hartë, por puna e bërë për të ardhur deri tek dita e printimit është një gjë e papërshkrueshme sa i përket stërmundimit fizik dhe profesional.
Shpresojmë shumë që zona të tjera të mbrojtura të bëjnë hartën e tyre të habitateve pasi kjo do të jetë në vijim e vetmja mënyrë për t’i menaxhuar në mënyrën e duhur ato.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *