Nga Dr. Përparim Kabo

Tek e pashë shoqen time të rinisë së hershme, Arianita Petro Markon, të bënte një thirrje
njerëzore: “Shpëtoni familjen e Petro Markos”, u ndjeva i turpëruar! Më pushtoi një pafuqi
fajësie sepse në një shoqëri demokratike, kur jeta njerëzore rrezikohet për cilindo, atëherë
shenjat janë që punët nuk venë mbarë. Nuk e di se si është Jamarbëri (Madu – ky është emri i tij
i rinisë, kështu e njohëm ne në fakultet. Herën e fundit e kam takuar kur ndodhej në spital para
disa viteve. Mendja e tij është një çudi më vete, kreative e mbjellur me ide proteste dhe e
ngjizur me kurajo për t’i çjerrë maskën hipokrizisë dhe gënjeshtrës! Madu është një ish-i
burgosur politik i sistemit komunist, disi i veçantë, që nuk kërkoi as poste ministrore, as ofiqe
mediatike as shpërblime! Madu është i biri Petros, ndaj kishte kërkuar vetëm LIRINË! Ndoshta
vuan aktualisht pafuqinë për ta bërë atë realitet, sepse ndodh që kjo gjendje është rrjedhojë e
kohës kur jetojmë dhe rrethanave që jo gjithnjë varen nga ne!


Kur Petro Plaku e mbyllte intervistën me Petron e Ri, ai dukej si Plaku (i romanit “Plaku dhe
deti”) që kishte nxjerrë nga deti peshkun e madh, por të kafshuar nga peshkaqenët. Por, se
ëndrra nuk kishte humbur, nuk ishte fikur dhe nuk kishte bërë hesape me pseudovlerat e
“klientelizmit të penës”, më i keqi dhe më hipokriti në pazarin e kohërave! Të jesh vetja, dhe si
krijues, dhe si njeri, kjo është e rrallë, si nga vlerë-virtyti që përcjell, ashtu dhe nga mundësia
për ta takuar. Shumë shkrimtarë apo artistë kanë një çarje mes tyre dhe veprës. Personazhet e
tyre janë një “magji” që të inspirojnë, ndërsa ata vetë janë një shembull që nuk duhet marrë!
Tek Petro Marko, jeta dhe vepra janë një. Ai shkruan për ato që ka përjetuar, prekur, vuajtur
dhe eksploruar. Rrëfenja e tij nuk është arti që virtualisht krijon personazhe dhe ngjarje të
imagjinuara, formë kjo komunikimi që të provokon dhe të josh! Tek ai ndodh, që pjesa artistike
e jetësores, sillet e freskët dhe xhenuine, shpesh pa u qesëndisur se mund të mungojnë ojnat
estetike! Pa dyshim, kushti më i mirë për lumturinë tonë është t’i mjaftosh vetvetes, të jesh në
çdo gjë vetvetja, të mundësh të thuash: “Omnia mea mecum porto”(Gjith ç’kam e bart me
vete./Artur Shopenhauer, vepra “Këshilla për jetën”, botimi shqip, faqe 110.
Ndaj “Intervistën me veten – RETË DHE GURRËT) ky titull, sa paganë, aq edhe hiperdimensional,
Petro PLAKiRIU e mbyllte me një arsyetim, sa lakonik, aq edhe nën peshën e pikëpyetjeve:
“Nëse me të vërtetë më në fund do të triumfojë demokracia e ëndërruar, gjeneratat që vijnë,
do të kenë mundësi të analizojnë këtë kalvarin tonë të çuditshëm 45-vjeçar, që edhe duke u
shtypur, edhe duke vuajtur, duke na u mohuar frymëmarrja, të ndarë nga bota, ne prapë kemi
punuar, ndërtuesit ndërtonin, bujqit punonin, këngëtarët këndonin, piktorët pikturonin, jeta
vazhdonte, por nën diktaturë. Ata që do të jetojnë, që janë në moshë të re, do të kenë fatin të
punojnë e të jetojnë lirisht, si njerëz të LIRË.”(P.Marko, “Intervistë me vetveten”, faqe 551) Ja
pra, fjalët e fundit nga ai gjoks i lodhur ishin: “Njerëz të LIRË”.

Tash, pas 20 viteve, është e drejtë të pyesim a jemi rikrijuar si njerëz të lirisë, a e kemi kuptuar
se ç’është liria, a dimë ne të sillemi me të, dhe tek e fundit, a i njohim ne dishepujt e saj?! Një i
tillë është Petro Marko, sepse kurrë nuk e tradhtoi muzën e tij të të qenit i lirë, të të qenit vetja,
të të qenit i frymëzuar prej saj! Vendosa edhe unë të kontribuoj për familjen e tij, në një mënyrë të veçantë, duke i shkruar një
letër Petros, dhe duke provuar të bisedoj me të. Ndoshta kështu do të mund të zgjohen në
shoqërinë tonë kujtesat e fjetura, ato të nemitura që lëngojnë fajësitë e patreguara, apo më në
skaj akoma, ato memuare të shtrembëruara, që nuk i zë gjumi se janë të shqetësuara!
Monologu i atyre njerëzve që posedojnë një arkivim të tillë, është se çfarë do të ndodhi nesër
më veprën e tyre, kur ata të mos jenë! Kjo dilemë nuk ka qenë pjesë e shqetësimit të Petro
Markos! Ai e donte njeriun dhe botën, në emër të ndryshimit, dhe jo nisur nga shpirtngushtësia
egoiste, sipas binomit “unë dhe bota” ose “bota dhe unë!
Ja, i shtrenjtë Petro dhërmioti, unë, një djalë nga Borshi i Lano Borshit, mikut tënd të stuhisë,
me këtë letër në eter po hap këtë kuvendim me ty! Do duhet të drejtoj disa pyetje sepse shumë
çështje që kemi përballë sot, nuk u gjejmë përgjigjen, ose për to ka përgjigje pa hesap sipas
stinës politike, por zgjidhje ama nuk ka! Po e filloj me një epitaf burrërie. Ty Petro të pëlqente ai
arsyetimi i Mama Milles: “Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri, janë burrat që
janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim zemërbardhë, e po të shkosh andej natën,
i dëgjon tek dëftojnë historitë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot. Kurse ata
burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet, janë bërë re. Vijnë, qajnë dhe ikin”. Ja pra Petro,
duhet që jetën ta jetojmë në shërbim të atdheut dhe kështu vëmë gurë në themelet e tij. Tani,
pas 20 viteve që diktatura nuk është më, i dashur Petro, shumë pak burra të tillë po shohim.
Atdheu për një “takëm” është kthyer treg dhe para, pasuri dhe zhvatje, mejhane dhe
kodoshllëk! Ata madje, nuk shkojnë të bisedojnë me gurët e vjetër të historisë, nuk kanë kohë
sepse më shumë janë shndërruar në re. Paratë i kanë shpënë jashtë vendit, atje kanë shtëpitë,
orgjitë, frymëzimet, alibitë, dhe ortakëritë që herë pas here u japin nga një dekoratë që ta vënë
në gjoksin e tyre, të praruar nga shkëlqimi.


Miku Petro, pylli me trima zemërbardhë po rrallohet, ndërsa shpura e drizave të frikacakëve
zemërligj është shtuar si një vegjetacion i egër dhe me një aromë mbytëse! Do të dëshiroja që
me lejen tuaj, vargjet që ti shkrove vite më parë, t’i lexoj duke shtuar edhe diçka nga kjo koha
jonë e demokracisë. Nuk është art, por përgjegjësi!
Ti shkrove për kalvarin
tënd kështu:
Ditën që Linda unë,
Planeti ish në furtunë!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *