Nga Saimir Kadiu
38 vjet më parë, në një dite dhjetori, në rrugën e Elbasanit, 6 veta të moshës nga 35-60 vjeç, të veshur si turistë, kaluan pragun e portës së ambasadës italiane në Tiranë.
Ishin vëllezërit dhe motrat e familjes Popa.
Babai i tyre ishte pushkatuar si përkrahës i Zogut, ndërsa familja kishte kaluar 20 vjet internim.
Më në fund me italishten e tyre të lënë trashëgimi nga babai dhe me sjelljen ‘alla perëndimore’ ata arritën të braktisin atdheun e tyre për perëndimin duke kaluar “kufirin” e ambasades italiane.
Një histori simbol që tregon egërsinë e regjimit komunist, e tillë pasi ishte e para që hapi “udhën” drejt perëndimit edhe pse u deshën 5 vjet të tjera që shqiptarët e tjerë të vërshonin nëpër dyert e ambasadave të huaja si “toka e premtuar”.
Ambasadori italian, Françesko Karlo Xhentile, mbas kërkesës kategorike të palës shqiptare, refuzoi t’i dorëzojë të strehuarit dhe i kaloi krishtlindjet e vitit 1985 bashkë me këta shqiptarë në ambasadë. Autoritetet, nëpërmjet një note të ministrisë së Jashtme, i bënë të ditur ambasadorit se incidenti qe tepër i rëndë e se do të kishte pasoja të papëlqyeshme deri në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Familja Popa u strehua për rreth 5 vjet në dy dhoma të ambasadës italiane. Dhe vetëm në majin e vitit 1990, fill mbas vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Perez de Kuelar, qeveria shqiptare dha lejen për largimin e tyre drejt Italisë.
Por ky rast, i pari në Shqipëri, nuk ishte i vetmi i ndodhur në lindjen komuniste.
Për këzë vlen të kujtohet historia e kardinalit hungarez József Mindszenty (20 Mars 1892-6 Maj 1975)…
Ai ishte i pari i Kishës Katolike në Hungari nga 2 tetor 1945 deri më 18 dhjetor 1973.
Veprimtaria e Kardinalit Mindszenty personifikonte opozitën pa kompromis si ndaj fashizmit ashtu edhe ndaj komunizmit.
Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore u burgos nga Partia pronaziste hungareze “Kryq–Shigjeta”.
Pas ardhjes së komunizmit në Hungari ai ishte përsëri opozitari i parë.
Arrestohet 75 vjet me parë, me 26 dhjetor 1948, një ditë pas kremtimit të krishtlindjeve, gjoja për veprimtari antihungareze, konspiracion dhe tradhëti. Këtu i nënshtrohet torturave çnjerëzore ku detyrohet të pranonte çfarë i kërkohej nga hetuesit e tij.
Gjyq i inskenuar (tipike si ato të Shqipërisë komuniste) e dënon me burgim të perjetshëm. Ky dënim u kritikua anembanë botës duke përfshirë edhe një Rezolutë të Kombeve të Bashkuara. Por regjimi i tmerrshëm i Matia Rakoshit nuk u tërhoq nga vendimi i marrë.
Pas 8 vitesh në burg lirohet gjatë Revolucionit hungarez të vitit 1956.
Por, kur ushtria sovjetike hyri në Budapest më 4 Nëntor 1956, ai u këshillua nga Imre Nagy që të kërkonte strehim në ambasadën amerikane ku qëndroi 15 vjet.
Qeveria hungareze më në fund e lejoi kardinalin të largohej nga Hungaria me 28 shtator 1971. Ai u vendos në Vienë ku edhe vdiq me 6 maj 1975 në moshën 83 vjeçare.