Përpara se të shkruaja një rresht të vetëm, e dija, në një mënyrë misterioze dhe për këtë arsye të qartë, se isha i destinuar për letërsinë. Ajo që nuk e kuptova në fillim është se përveçse isha i destinuar të jem lexues, kam qenë i destinuar të jem edhe shkrimtar dhe nuk mendoj se njëra është më pak e rëndësishme se tjetra.
Mendoj se përrallat, legjendat, madje edhe anekdotat e rëndomta, janë zakonisht të mira, sepse duke u kaluar nga goja në gojë, atyre u është hequr çdo gjë që mund të jetë e padobishme ose e bezdisshme. Pra, mund të themi se një përrallë popullore është një produkt shumë më i rafinuar sesa një poezi e Donne, e Góngora-s ose e Lugones-it, për shembull, pasi në rastin e dytë pjesa është përpunuar nga një person i vetëm, dhe në rastin e parë nga qindra.
Unë besoj se një shkrimtar nuk duhet të provojë kurrë një temë bashkëkohore apo një topografi shumë të saktë. Përndryshe njerëzit do të gjejnë menjëherë gabime. Ose nëse nuk i gjejnë, do t’i kërkojnë, dhe nëse i kërkojnë, do t’i gjejnë. Kjo është arsyeja pse unë parapëlqej që historitë e mia të zhvillohen në vende disi të papërcaktuara dhe shumë vite më parë.
Fakti që letërsia është komercializuar tani në një mënyrë që nuk ka qenë kurrë më parë ka pasur një ndikim. Kjo do të thotë se njerëzit tani flasin për “bestsellerët”, se moda ka një ndikim (diçka që nuk ka ndodhur më parë). Mbaj mend që kur fillova të shkruaj, nuk kemi menduar kurrë për suksesin apo dështimin e një libri. Ajo që quhet “sukses” tani nuk ekzistonte në atë kohë. Dhe ajo që quhet “dështim” merrej si e mirëqenë. Shkruhej për vete dhe, ndoshta, siç thoshte Stevenson-i, për një grup të vogël miqsh. Nga ana tjetër, tani mendohet për shitjet. E di që ka shkrimtarë që shpallin publikisht se kanë dalë në botimin e tyre të pestë, të gjashtë ose të shtatë dhe se kanë fituar kaq e kaq shumë para. E gjithë kjo do të dukej krejtësisht qesharake kur isha i ri; do të dukej e pabesueshme. Njerëzit do të kishin menduar se një shkrimtar që flet për atë që fiton në librat e tij, po nënkupton: “E di se çfarë shkruaj është e keqe, por e bëj për arsye financiare ose sepse duhet të mbaj familjen”.
Një libër i pakohë… do të ishte po aq i admirueshëm nëse do të ishte botuar njëqind vjet më parë ose nëse do të botohej njëqind vjet më vonë. Një libër që mund të përcaktohet vetëm nga e përkryera e tij.
Borges
Përktheu: Granit Zela