Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi ngritjen e aktakuzës ndaj shtetasit serb me iniciale Z.A. i akuzuar për ndalime të paligjshme dhe tortura ndaj shqiptarëve në zonën e Kamenicës.
Dëshmitari kyç i procesit pritet të jetë shtetasi me inicialet B. M. që sipas pretendimeve të akuzës është torturuar në mënyrë çnjerëzore nga i akuzuari bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të policisë serbe.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se i dyshuari bashkë me pjesëtarët e policisë serbe është përfshirë dhe në dëbimin me forcë të popullsisë vendase dhe në plaçkitjet e disa shtëpive të shqiptarëve në Kamenicë.
“Po ashtu, i pandehuri Z.A. në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin, po ashtu kanë marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë. Me këto veprime i pandehuri Z.A. ka kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’ nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.” – thuhet tutje në njoftim.