Nga Arbër Zaimi

Ministri i mbrojtjes së Bosnjë Hercegovinës, z. Zukan Helez i Partisë Socialdemokrate, ka treguar sot në televizion se paramilitarët serbë po ushtrohen në kampe stërvitore të ngritura afër liqenit të Bileçës në juglindje të Bosnjës, në kufi me Malin e Zi dhe Sanxhakun e jo fort larg Kosovës.

Ministri boshnjak Helez përveçse po denoncon ekzistencën e këtyre kampeve ushtarake ilegale në atë pjesë të Bosnjës që kontrollohet nga serbët, po jep edhe të dhëna të tjera.

Helez tregon se pranë liqenit Bileça para dy vitesh aty ka ndërtuar një vilë edhe një ish-diplomat rus në Beograd, ndërsa sivjet aty pranë po ndërton vilë edhe krimineli serb nga Kosova, Zvonko Veselinoviq. 

Helezi po flet publikisht për këtë çështje tash e një javë. Ai po denoncon se vendi ku kanë ndërtuar vilat ish-diplomati rus në Beograd, Veselinoviqi e shumë të tjerë, ka të dhëna se mund të jetë mbi varrezat masive ku janë groposur boshnjakë e të tjerë që u vranë nga serbët në vitet ‘90. Pikërisht aty ish-diplomati rus paska ndërtuar dhe një kishë serbe me paratë e veta, si duket për të garantuar paprekshmërinë e vendit të krimit.

Paramilitarët që stërviten në ato kampe, sipas Helezit, ka mundësi të përdoren për trazira të reja në Ballkan, në interes të Beogradit e Moskës.

Helez thotë se mafiozi serb nga Mitrovica veriore, Veselinoviqi shkon shpesh në Bileçë me një helikopter në pronësi të një partneri biznesor të vëllait të presidentit serb, Vuçiqit.

Me këto denoncime të Helezit, vallë po del në dritë edhe një strofull tjetër kriminelësh çetnikë, përveç “Qendrës Humanitare Ruse” në Nish të Serbisë?

Prej një jave Dodiku ka shtuar sulmet mediatike ndaj ministrit të mbrojtjes së Bosnjës, Zukan Helezit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *