Nga Lutfi Dervishi
Për të kuptuar si janë punët në një vend, mund të shohësh çfarë reklamash transmetojnë televizionet. Aty kupton për nivelin e shoqërisë, konsumin, kërkesat dhe ofertat që ka tregu, produktet që kërkohen me shumë etj.
Por çfarë mund të thuash për Absurdistanin, një vend ku reklamat e ilaçeve dominojnë eterin nga mëngjesi në mbrëmje?
Me një breshëri të pamëshirshme reklamash, gjendja shpirtërore e vendit jo vetëm që ndikohet, por në dukje diktohet nga këto fushata agresive.
Që nga momenti kur lind dielli në Absurdistan, valët janë të mbushura me reklama që promovojnë produkte të ndryshme farmaceutike. Reklamat variojnë nga qetësuesit e dhimbjeve për kockat e lodhura (dhe sipas reklamës problemi me kockat nis në moshën 25 vjeç) deri te ilaçet kundër gripit që premtojnë një shërim sa hap e mbyll sytë. Ilaçet kundër gripit paraqiten në mënyrë aq joshëse saqë të vjen keq që nuk të ka zënë gripi apo flama ose të paktën covid-I. Pavarësisht nga ora e ditës, apo ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur, ka gjithmonë diçka që shitet përmes ekranit për të lehtësuar dhimbjet, për të qetësuar stomakun, për të bërë zemrën të punojë si motorr benci ose për të ofruar lehtësim nga një sërë sëmundjesh. Sikur të mos mjaftojnë këto “publicitete” në ekran shfaqen edhe mjekët “popullorë” që me gjethe ferrash dhe bar, po po bar nga ai që hanë lopët dhe jo ai që ju shkon ju në mendje, shërojnë sëmundje që nga reumatizma deri te çlirimi nga kapja e xhindeve. Dikur në Absurdistan thuhej se “çdo hall e ka një derman”. Sot prania e vazhdueshme e këtyre reklamave përforcon idenë te absurdistanasit se për çdo shqetësim ka një pilulë.
Ekspertët janë në mëdyshje!
A kemi të bëjmë me një shoqëri ku njerëzit janë shumë të fokusuar për shëndetin dhe mirëqenien apo prania e madhe e reklamave sugjeron një ankth kolektiv për sëmundjet fizike, duke promovuar kështu një kulturë të kujdesit për veten dhe vëmendjes se tepruar ndaj trupit?
Nga ana tjetër, ndërkombëtarët në Absurdistan janë të shqetësuar se mos përhapja e kudondodhur e reklamave farmaceutike mund të krijojë një atmosferë hipokondrie. (shqetësim për shëndetin pavarësisht nëse je apo jo i sëmurë). Lumi i reklamave mund të nxisë pa dashje ankthin, duke i bindur individët se janë të prekur nga e pakta një sëmundje ose janë të predispozuar për sëmundje të ndryshme. Ky ekspozim i përhershëm ndaj problemeve të mundshme shëndetësore ka dhënë dhe efektet e para. Në çdo orë të ditës tani shfaqen njerëz me probleme të dukshme të shëndetit mendor që paraqiten herë si analistë, herë si ekspertë, herë si komentatorë, por më të shumtët e rasteve si “avokatë”. Këta të ftuar japin mendime, por edhe zgjidhje për çdo çështje që rrok imagjinata e homo sapiensit.
Të huajt në këtë vend, nuk arrijnë të kuptojnë shtrirjen dhe intesitetin e reklamave për ilaçet dhe vitaminat, nuk arrijnë të kuptojnë as obsesionin popullor për ilaçe dhe as faktin se biznesi i farmacive është më i suksesshmi në vend.
Hutesa vjen për faktin se ata kujtojnë se në Absurdistan, “Shëndetësia është falas”, premtim që vetë banorët e Absurdistanit e kanë harruar.