Nga Daut Dauti

Një njeri tjetër, tejet karakteristik, ka qenë aga Nezë, siç e quanin fëmijët dhe ata që ishin më të rinj se ai. Aga Nezë ka qenë trupgjatë me fytyrë gjithmonë të qeshur dhe nuk rruhej shpesh. Shikimin e mbante përtokë dhe fliste me zë të hollë. Çkado që thoshte, njerëzit nuk e merrnin seriozisht. Kur ishte kthyer nga shërbimi ushtarak, kishte ndryshuar shumë. Kishte parë gjëra që tjerëve nuk iu kishin bërë përshtypje më parë. Në ushtri ai e kishte parë rëndësinë dhe fuqinë e shkollës. Prandaj, kishte vendosur që në fshat ta ndërtonte një shkollë. Deri atëherë fëmijët ecnin këmbë disa kilometra, verë e dimër për të shkuar në shkollë në një fshat tjetër. E kishte gjetur vendin e përshtatashëm në mes dy lagjeve të fshatit dhe ia kishte hedhur themelet shkollës. Kjo ide e tij ndikoi që i tërë fshati ta merrte për të çmendur pasi që nuk bëhej shkolla vetë. Jo që nuk i ndihmoi askush por edhe e shpotisnin. 

“A e keni pa aeroplanin t’u fluturu? Ata që e kanë maru aeroplanin kanë shku n’shkollë dhe aty janë mësu qyshë me maru. Edhe ai që i grahë aeroplanit u m’su n’shkollë. S’ka kurgja pa shkollë”, iu thoshte aga Nezë fshatarëve që nuk bindeshin nga ideja dhe iniciativa e tij. Por, aga Nezë me një vullnet dhe vetëmohim të çuditshëm e ndërtoi shkollën pa ndihmën e askujt. Kur e përfundoi punën shkoi në komunë dhe u takua me udhëheqësit e pushtetit. “Shkolla është gati dhe juve iu duhet m’i pru bankat dhe mësuesit”, u kishte thënë. 

Dhe kështu filloi shkolla në fshat dhe aga Nezë u bë i rëndësishëm. Në fshat erdhën televizione dhe gazetarë për ta shënuar çudinë që doli nga fuqia e një njeriu të pashkollë por që kishte dashuri për arsimin dhe diturinë.  Duhet të ketë qenë viti 1969 kur unë në televizor duke u mburrur e kam shikuar emisionin për punën e tij, shkollën, nxënësit dhe fshatin. Kjo ka qenë hera ime e parë që në televizor kam parë njerëz, të cilët i kam njohur dhe që kanë qenë nga familja ime. Aga Nezë e bëri të pamundshem. E solli shkollën afër fëmijëve dhe me këtë edhe dashurinë për shkollim.

Kjo tregim është pjesë e librit tim me titull ‘Pesha dhe aroma e kujtimeve’, që është në botim e sipër nga Logos-A. E solla këtu për ta kujtuar fillimin e vitit shkollor. Mëposhtë video-klip që e ilustron këtë tregim e që atëherë është xhiruar nga RTP (Radio Televizioni i Prishtinës).

https://youtu.be/dNoJnKl4D_w

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *