Shqipëria ëndërr
Përgjatë gjithë shekujve të kaluar ka pasë shumë shqiptarë mendjendritur që ëndërruan Shqipërinë e lirë. Shumë nga ata punuan, vuajtën, shkrinë gjithë pasurinë që patën dhe, jo rrallë, u flijuan në këtë përpjekje mbinjerëzore. Por, ishte vetëm njëri prej tyre që ia doli të sendërtonte dhe të përjetonte Shqipërinë e lirë e të pavarur, megjithëse vdiq tetë vite para se ajo të bëhej e tillë. E quajnë Sami Frashëri.
Me vizionin e tij të fuqishëm e të pagabueshëm Samiu ndërtoi Shqipërinë e lirë, një vit para se të mbyllej shekulli XIX, në veprën e vet monumentale «Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhetë». Vetëm një mendje kaq e ndritur do të mund ta sendërtonte, – qoftë edhe në imagjinatë, – një Shqipëri të bërë, të pavarur, me kaq saktësi, sa të tregonte jo vetëm kufijtë, kryeqytetin, qeverinë, por edhe shumën e saktë të buxhetit dhe të rrogave të ‘qeverindarëve’ të shtetit të ardhshëm shqiptar.
Kjo tregon fuqinë e papërballueshme të ëndërrimit atdhetar, që i thyen jo vetëm prangat e pushtimit, por i trondit edhe parimet e përmasës kohore. Aq të shkrirë në një ishin vizioni i Sami Frashërit dhe gjakimi ynë kombëtar për liri e pavarësi, sa ne, si komb, mund themi lirisht që jetojmë, sot e gjithë ditën, në vizionin politik e gjuhësor të Shqipërisë së Sami Frashërit.
Shqipëria gjuhësore
Ësht e vërtetë se ky vizion, për shkak të rrethanave shoqërore e historike, nuk arriti të realizohet plotësisht nga ana politike, mirëpo Samiu i parashikoi edhe këto pengesa. Sidoqoftë, edhe pse projekti i Shqipërisë Politike nuk u realizu ende plotësisht, një projekt tjetër, po kaq i rëndësishëm, që u realizu plotësisht, ishte Shqipëria Gjuhësore. E Atdheu gjuhësor ësht themeli mbi të cilin qëndron edhe sot Shqipëria e të gjithë atdhetarëve tanë të së shkuarës, të së tashmes dhe të së ardhmes.
“Me se mbahetë kombëri e një kombi? Mê parë me gjuhët të tij,” – shkruante Samiu – “gjuha është m’e par’ e m’e madhe shënj’ e një kombërije. Gjuha me se mbahetë? Me shkronja.”
Duke u nisë nga këto parime e këto nevoja të kohës, ai shkroi e botoi të parën gramatikë shqipe të shkruar shqip në vitin 1886 dhe më vonë nisi punën në «Shoqërinë e të Shtypurit Shkronja Shqip», duke botu libra në gjuhën shqipe. Derisa vëllai i tij Abdyli me bashkëveprimtarë punonin praktikisht për krijimin e Shqipërisë Politike, – duke themelu «Lidhjen e Prizrenit», – Samiu me shokë paralelisht punonin për ndërtimin e Shqipërisë Gjuhësore. Siç dihet, ky projekt politik i Shqipërisë autonome u shu me gjak nga Perandoria Otomane, kështu që ra mbi supet e Shqipërisë Gjuhësore të Samiut që ta çonte më tej misionin e Shqipërisë së lirë. Mirëpo, aq sa ësht mahnitës vizioni politik, po aq i pakundshoq ësht edhe vizioni gjuhësor i Sami Frashërit. Ai shkruan:
“Μez’ i Shqipërisë, domethënë kryeqytet’ i përgjithçim, do të jetë një nga qytetet që ndodhenë në mest të Shqipërisë e në të cilët të flitetë gjuha Shqip. (…)
Dhe ja, ne sot jemi në Tiranë, në “mez’ të Shqipërisë”, në të cilën “flitetë gjuha shqip”.
“Ky qytet të cilënë mundimë ta quajmë Skënderbegas” dhe “(…) gjithë parësi e Shqipërisë e Shqipëtarët’ e xgjuarë do të kenë nevojë të mblidhenë e të bëjnë shtëpi atje.”
Kryeqyteti ndoshta pret të quhet Skënderbegas, ndërsa njerëzit më të ‘xgjuarë’ të kombit janë mbledhë aty.
“…edhe me të qënë që ndënjësit’ e tij do të jenë të mbledhurë nga gjithë anët’ e Shqipërisë – vazhdon Samiu – edhe gjuha që të flitetë atje do të jet’ e përzjerë, që të muntnjë të quhetë gjuh’ e përgjithçime e gjuhë letrarishte e gjithë Shqipërisë.”
Sot jemi dëshmitarë që në Tiranë janë mbledhë banorë nga të gjitha anët e Shqipërisë Gjuhësore dhe gjuha shqipe që flitet këtu ësht bë me të vërtetë “e përzjerë”, ashtu siç e parashikonte Rilindësi që ndërtoi Shqipërinë që e ëndërronte.
Shqipëria e pamabruar
Shqipëria e Sami Frashërit mbeti e pambaruar. Apo më saktë, pas largimit të Perandorisë Otomane, më shumë se gjysma e saj u copëtu prej shteteve fqinje. Kjo, ndoshta, nga shkaku se asnjë ëndërr nuk mundet me u kthy plotësisht në realitet. Samiu që e parandiente këtë copëtim shkruante:
“Nuk’ e dimë mirë sot se gjer ku do të xgjatetë Shqipëria që t’a themi të prerë edhe më sa gastra do të ndahetë; se m’anët të lindjesë kemi ca vënde të përzjerë, nga të cilëtë nuk’ e dimë se cilëtë do të na i lenë neνe e cilëtë do të mos na i lenë. Pô duke folurë pas dëshirësë sanë, munt të themi që Shqipëria munt të ndahetë më 15 gastra, të cilatë pas krye qytetevet të tyre janë: Shkodra, Peçi (Ipeku), Prizreni, Preshtina, Ysqypi, Manastiri, Dibra, Elbasani, Tirana, Berati, Korça, Kosturi, Janina, Gjinokastra e Preveza.”
Nga këto 15 ‘ngastra’ (rrethe) 7 mbetën padrejtësisht jashtë kufijve të Shqipërisë, 3 prej tyre u çliruan 87 vjet më vonë, në vitin 1999. Ëndrra e pambaruar e Samiut shtrihet në të ardhmen, te brezat që vijnë. Dhe ashtu si për ne, edhe për brezat e ardhshëm, këshilla e tij vazhdon me na udhëzu më së miri:
“Dy gjërëra duhenë në këtë jetë: e drejta edhe fuqija. E drejta pa fuqi, si edhe fuqija pa të drejtë, është si një krah i vetëm; nonjë zok s’fluturon dot me një krah. Me të rallë bën punë fuqija pa të drejtë; edhe e drejta pa fuqi fort rallë dëgjohetë.”
Përgatiti për botim: Agim Morina

