Manuel Nojer duket se nuk e ka kapërdirë vendimin e drejtuesve të Bajernit të Mynihut për shkarkimin e trajnerit të portierëve, Toni Tapaloviç me të cilin gardiani i portës bavareze punonte prej një dekade.
Nojer tha se nuk e priste këtë vendim dhe se Tapaloviç kishtë dhënë më të mirën për Bajernin.
“Toni ishte gjithmonë një lojtar skuadre me ne, të gjithë e shihnin atë në atë mënyrë. Për njëmbëdhjetë vjet e gjysmë ai nuk ka punuar për mua, por për të gjithë grupin e portierëve, për stafin trajner dhe për klubin. Ne kemi qenë gjithmonë në gjendje të ndajmë punën nga jeta private. Shkarkimi i tij ishte goditje për mua, doli nga hiçi dhe nuk e kuptova fare. Realisht më shkatërroi. Ndjeva sikur më shqyen zemrën. Ishte gjëja më brutale që kam përjetuar në karrierën time. Dhe kam përjetuar shumë gjëra, por kjo është në një nivel tjetër. Njerëzit filluan të qajnë. Portierët janë një skuadër brenda skuadrës, por Toni ishte i popullarizuar në të gjithë skuadrën.”- deklaroi Nojer në një intervistë për “The Athletic”.
Manuel Nojer humbi pjesën e mbetur të këtij sezoni pas aksidentit që pësoi teksa bënte ski, ndërsa Bajerni afroi zviceranin, Jan Somer si zëvendësues të tij.