Nga Bekim Qoku

Ka një skenë në filmin The Blues Brothers kur Dan Aykroyd e pret Belushin që po del nga burgu dhe të dy shkojnë në banesën e Danit që ndodhet mu pranë hekurudhës. Aty Belushi i lodhur, shtrihet në krevat dhe vë re zhurmën e madhe që vjen nga dritarja nga trenat që po kalojnë thuajse çdo disa sekonda. E pyet Danin: sa shpesh kalon treni këtu? Ky ia kthen: aq shpesh saqë nuk do i vësh më re. 

Në Maqedoninë e Veriut, aq shumë skandale po ndodhin, saqë nuk i vëmë më re. As mediat nuk shkruajnë.  

P.sh vetëm sot u dha lajmi që:

– djali kryeparlamentarit Talat Xhaferi paska marrë provimin e jurisprudencës ende pa e kryer universitetin;

– ish-kryespiunit Mijallkov, skenaristit të shumë krimeve ndaj shqiptarëve, iu shfuqizua dënimi me burg prej 8 vitesh.

Pastaj, vetëm dje, në USH të Tetovës rektori i përjetshëm, ish-pelivani Vullnet Ahmeti, zgjidhet kryetar senati dhe prej aty drejton ndoshta institucionin më të korruptuar në shtet.  

Vetëm para disa ditësh, një biznesmeni prorus iu dha nënshtetësia e MV sa hap e mbyll sytë dhe me vra njeri nuk u mor vesh se kush ia pat dhënë atë. E ndërkohë me mijëra shqiptarëve të lindur e rritur këtu iu mohohet ajo.

Vetëm pak javë më parë, drejtori i Agjencisë së rrugëve shtetërore deklaron i habitur, se si ka mundësi që tenderin për rrugën e Korridorit 8 ia paskan dhënë një firme ruse.

Vetëm sot, nxënësit shqiptarë ende nuk kanë libra shkollorë.

Vetëm para 2 javësh, drejtor i Prokurorisë për krim të organizuar zgjidhet një bashkëfshatar i Ali Ahmetit, i cili që ditën para zihet në rrenë kur deklaron se nuk i njeh këta të BDI, kurse mediat i zbuluan foto me të dhe figurat e BDI-së.

Kaq e dija, kaq e lash, ….

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *