Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur në Akademinë Diplomatike të Vjenës, solli në vëmendje krimet e kryera nga Serbia ndaj fëmijëve shqiptarë gjatë luftës së Kosovës.
Kurti referoi rastin e një vajze të mitur shqiptare, kufoma e së cilës u gjet rastësisht nga një peshkatar i zakonshëm në Serbi. Ai tha se krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve duhet të përmenden gjithnjë për sa kohë që Beogradi vijon të mos japë asnjë informacion për mijëra shqiptarë të vrarë që e transportuan me kamionë drejt Serbisë për të mos u gjetur më kurrë.
“Në Serbi, në lumin Danub, afër fshatit Tekija, një peshkatar vëren një objekt që noton mbi ujë. Është një copë kamioni. Thërret një zhytës dhe në fund të lumit gjejnë një kamion ngrirës të thertores. Ndërsa nxjerrin kamionin nga uji, këmbë të njerëzve fillojnë të bien nga pjesa e pasme e kamionit. Hapin dyert dhe brenda gjejnë 86 trupa, dhe tre koka. Mes tyre është edhe trupi i një vajze të vogël vetëm 7-vjeçare. Ndërsa kontrollonin gjërat e saj, ata gjejnë çantën e saj të shkollës. Brenda çantës është një fletore e UNICEF-it, lapsa me ngjyra dhe një kukull e vogël. Në fletore kishte vizatime të shtëpive dhe luleve.
Ajo u vra në Kosovë, u fut në kamionin ngrirës të thertores dhe u fundos në fund të lumit. Pasi e gjetën, së bashku me trupat e tjerë e ngarkuan në një kamion tjetër. Sot e kësaj dite nuk e dimë se ku i dërguan ata trupa. Ne nuk e dimë emrin e vajzës, si dukej ajo dhe kush janë prindërit e saj. Ajo është në mesin e 1617 personave të zhdukur me forcë.
Ndërsa ne e dimë se ajo nuk do të kthehet më te shtëpia dhe te lulet që ka pikturuar, nuk do t’i shohim kurrë me të, ne do ta tregojmë gjithmonë historinë e saj dhe nuk do të ndalemi kurrë derisa të dihet fati i saj. Dhe ne do ta kujtojmë gjithmonë atë dhe 1133 fëmijët që u vranë nga Serbia gjatë viteve 1998-99.” – tha ndër të tjera Kurti.