Konsumimi i birrës në stadiume është një fenomen i shtrirë në shumë vende, por të pish birrë në stadiumet e një vendi konservator si Katari duket e pamundur. Shteti mikpritës i Kupës së Botës zyrtarizoi vendimin për ndalimin e konsumimit të birrës brenda stadiumeve dhe në një perimetër të caktuar jashtë tij. “Pas diskutimeve midis autoriteteve të vendit pritës dhe FIFA-s është marrë një vendim për të fokusuar shitjen e pijeve alkoolike në Festivalin e Fansave të FIFA-s, destinacione të tjera të tifozëve dhe vende të licencuara.” – thuhet në njoftimin e FIFA-s.
Ky vendim i shtetit të Katarit ka zemëruar sponsorët e eventit dhe sidomos fansat e shumtë që pritet të ndjekin ndeshjet në stadiume. FIFA sqaroi se janë zhvilluar negociata të gjata me shtetin e Katarit për lejimin e birrës në impiantet e futbollit, por shteti mysliman është treguar i vendosur për moslejimin e alkoolit brenda stadiumeve.