Mbledhja e Këshillit të Sigurisë së OKB-së ku u diskutua raporti gjashtëmujor për Kosovën u shoqërua me debate mes ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla dhe përfaqësuesit të Serbisë, Nikolla Selakoviq.

Në fjalën e tij, Selakoviq akuzoi Kosovën dhe kryeministrin Albin Kurti se po synojnë destabilizimin e gjëndjes në rajon. Ai përmendi strukturën speciale të forcave të sigurisë së Kosovës, e cila sipas tij po trajnohet dhe armatoset me qëllim për të nisur një ofensive ndaj serbëve lokalë të Kosovës. Selakoviq po ashtu akuzoi Prishtinën se po rehabiliton bashkëpunëtorët e nazizmit duke iu referuar nismës për rikonstruksionin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë. Selakoviq iu drejtua Gërvallës me mbiemrin e martesës, Shvarc gjë e cila solli reagimin e kryediplomates së Kosovës e cila theksoi se mbiemri i saj Gërvalla nuk mund të përmendej pasi ishte vetë Serbia dhe shërbimi sekret i Udb-së ata që organizuan vrasjen e babait të saj, veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare shqiptare, Jusuf Gërvalla. “Ma përmendni vetëm mbiemrin Shvarc që është i burrit tim. Unë e kam mbiemrin Gërvalla. Por, ka arsye shumë të mira që nuk mund ta përmendë Selakoviq atë mbiemër. Ka qenë Beogradi që ka dëbuar babain tim nga Kosova. Ai ka qenë gazetar dhe shkrimtar, por është vrarë nga shërbimi i sigurimit të Serbisë. Për këtë arsye ju e keni problem ta përmendni atë mbiemër. Është vrimë e zezë për ndërgjegjen e Serbisë ky mbiemër.” – theksoi Gërvalla në fjalën e saj.

Ministrja e Jashtme e Kosovës po ashtu akuzoi Serbinë për përpjekje të vazhdueshme për të rritur tensionet në rajon, duke thënë se propaganda e Aleksandër Vuçiqit për luftë i ka rrënjët te regjimi i kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Gërvalla u ndal edhe tek afati për regjistrimin e veturave për të gjithë qytetarët serbë të cilët i kanë veturat me targa ilegale të Serbisë. Ajo tha se retorika e Vuçiqit është kërcenim serioz për stabilitetin dhe paqen në rajon duke kritikuar gjithashtu dhe UNMIK-un që nuk ka përfshirë në raportin për Kosovën edhe kërcënimet ndaj serbëve lokalë që të mos i regjistrojnë automjetet me targat e Republikës së Kosovës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *