Një 33-vjeçar nga Kosova është dënuar me 2 vite burg nga Gjykata e Tiranës, pasi akuzohet se ka shpërndarë në Facebook postime që nxisnin urrejtje dhe përçarje përmes fyerjes së flamurit kombëtar. Vendimi ndaj Alban Bibajt është dhënë pak ditë më parë, në përfundim të një gjykimi të zhvilluar në mungesë të tij.

Sipas dosjes, Bibaj kishte rënë në vëmendjen e Drejtorisë së Antiterrorit pas disa postimeve në llogarinë e tij në Facebook, të regjistruar me emrin “Ubejdullah E. Subejla”, të publikuara pas tërmetit të nëntorit 2019. Në këto postime, ai shprehej se “Hoxhallarët dhe xhematlit që festojnë ditën e flamurit të fesë së demokracisë, nuk kanë lidhje me Teuhidin (njehsimin e Allahut)”, duke i shoqëruar deklarimet me foto të flamurit kombëtar shqiptar, mbi të cilin kishte mbishkrimin “Kufr shirk”, që nënkupton mohues të Zotit, si edhe një kryq të vendosur mbi flamur.

Prokuroria e Tiranës ka bashkëpunuar me autoritetet e drejtësisë në Kosovë për hetimin e çështjes. I marrë në pyetje në Prokurorinë e Pejës, në prani të avokatit, Alban Bibaj ka deklaruar se prej 15 vitesh praktikon fenë islame dhe se asnjëherë nuk ka mësuar nga ndonjë predikues apo literaturë fetare se duhet të urrejë dikë apo të nxisë urrejtje kombëtare.

Megjithatë, sipas gjyqtarit Edvan Veçani, përmbajtja e postimeve të tij përmban elementë të qartë që cenojnë rendin dhe paqen publike përmes nxitjes së përçarjes mbi baza kombëtare dhe fetare.

“Nëpërmjet përdorimit të gjuhës fyese ndaj simboleve kombëtare, si flamuri shqiptar, dhe deklarimeve se ‘nacionalizmi është kufr’ apo se ‘flamujt janë shpikje të zionistëve’, ai ka shprehur qëndrime që synojnë përbuzjen e vlerave kombëtare dhe krijimin e antagonizmit ndërmjet identitetit fetar dhe atij kombëtar,” thuhet në vendimin gjyqësor, raporton a2CNN.

Gjykata vlerësoi se përmbajtja e postimeve, e shoqëruar me imazhe fyese ndaj flamurit, përbën një akt publik komunikimi që objektivisht është i aftë të nxisë ndarje, urrejtje apo armiqësi ndërmjet qytetarëve mbi baza të përkatësisë kombëtare. Sipas arsyetimit, qëllimi i të pandehurit nuk ishte thjesht shprehja e një opinioni fetar, por nxitja e përçarjes dhe kundërvënies mes qytetarëve.

Alban Bibaj është hetuar dhe gjykuar në mungesë, ndërsa gjykata vendosi që dënimin prej 2 vitesh burg ai duhet ta vuajë në një institucion të sigurisë së zakonshme.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *