Udhëheqësi i serbëve të Bosnjes, Millorad Dodik po armatoset në përpjekje për të krijuar një ushtri paralele – shkruan e përditshmja zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ).
Në artikull theksohet se ambiciet për “Botën Serbe” po shtojnë tensionet duke rritur mundësinë e një konflikti të armatosur në rajon.
“Që nga 21 nëntori 1995, termi Dejton ka treguar një lloj të veçantë diplomacie – të gjithë pjesëmarrësit ishin mbyllur derisa të arrijnë një marrëveshje. Kështu shkruante ‘arkitekti’ i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, ambasadori Richard Holbrooke në librin e tij Misioni im, i vitit 1998. Përpjekjet e palodhura diplomatike të Holbrooke, së bashku me bombardimet e NATO-s ndaj pozicioneve serbe, i dhanë fund luftës gati katërvjeçare në Bosnjë e Hercegovinë.” – sqarohet në artikull.
Sipas autorit të shkrimit, Aleksandër Rotert, pas këtij plani qëndron Aleksandër Vulin, Shefi i BIA-s serbe, i sanksionuar nga SHBA-të dhe i konsideruar si marionetë e Vladimir Putin.