Mazllum Mazllumi, imam i një prej xhamive të Prizrenit, tronditi opinionin publik me gjuhën denigruese ndaj flamurit kombëtar në një video të shfaqur në rrjetin Tik-Tok.
Gjuha e tij shkaktoi njê valë masive reagimesh dhe ky realitet duket ta ketë vendosur nën presion hoxhën kontrovers.
Gjatë një interviste në Euronews Albania, Mazllumi kërkoi falje për komentet e tij duke u justifikuar se qëllimi nuk ishte denigrimi i flamurit, por shprehja e idesë se një flamur nuk mund të adhurohet.
“Këtu ka një keqkuptim. Kjo video është inçizuar më herët. Flamuri sipas fjalëve të mia është një bezë që në të është e vizatuar shqiponja. Nuk ishte qëllimi për të përdhosur dhe nënçmuar flamurin, diçka që prindërit tanë e kanë ngritur përpara 110 viteve në Vlorë. Kush jam unë për ta përdhosur një gjë të tillë. Është shumë gabim t’i lexoni gjërat mbrapsht. Leckë u përdor për të treguar një bezë në të cilën është vizatuar flamurin. Edhe unë jam shqiptar. Unë kam dashur të them se ne nuk e adhurojmë flamurin. Është bërë zhurmë gazetareske. Nëse është keqkuptuar kështu, unë njeri jam, edhe unë gaboj, kështu që i kërkoj falje opinionit.”- tha Mazllumi.