Gazetarja Ola Xama, ka denoncuar në një reagim të rrjetin social fejsbuk një sulm të koordinuar kundër saj nga njerëz dhe media shumë afër kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Reagimi i gazetares Xama në fejsbuk:
“Pasi më quajti “njeri që nuk njoh turpin” dhe “killer me pagesë”, i mbylli mesazhet kërcënuese me përshëndetjen “Fundjavë të mbarë”. Në fundjavë, gazetat që i shërbejnë, më sulmuan duke më quajtur… “killer me pagesë”. Fundjava vazhdoi me një fushatë sulmesh e shpifjesh ndaj meje në mediat sociale dhe forumet online nga një ushtri komentuesish të koordinuar.
Pse më sulmoi Veliaj? Artikullin tim për BIRN, unë e nisja me faktin se në janar 2016 Kryebashkiaku Veliaj i kërkoi Ministrisë së Financave miratimin e procedurës PPP për menaxhimin e mbetjeve në Tiranë sipas studimit të IFC-së. Në artikull, duke sjellë vetëm fakte nga dosja e SPAK, informova se në vend të projektit të IFC-së për landfill, në fund Veliaj vendosi për incenerator me PPP, për miratimin e të cilit tejkaloi kompetencat.
Por kaq nuk e justifikon ashpërsinë e sulmit ndaj meje. Mendoj se alarmi i Veliajt ka të bëjë me një tjetë fjali që citohej nga dosja e SPAK: “Pra, siç mund të konstatohet personi nën hetim Arben Ahmetaj nuk e pengon këtë procedurë pavarësisht problemeve që ajo paraqiste”. SPAK pohon se procedura e inceneratorit të Tiranës ka probleme dhe Ahmetaj, si ministri ‘gardian’, nuk mbrojti buxhetin e shtetit nga shkeljet e Veliajt.
Dosja vijon me skemën e financimit të koncesionit, ku del se krahu i djathtë i Veliajt i dërgon Klodian Zotos në emailin personal propozimin e planit financiar të inceneratorit të Tiranës! Nëse pronarë të inceneratorit nuk kanë qënë Zoto dhe Mërtiri përse emaili duhet t’i nisej Zotos? Përse te ‘klodianzoto@yahoo.com’ dhe jo te adresa zyrtare e “Integrated Energy Bv Spv”? A lejoi bashkia që bashkëortaku i saj në kompaninë “Eco Recycling” t’i shiste aksionet te “Integrated Energy” pas miratimit të kontratës të inceneratorit? Përse kompania nuk funksionoi më asnjë ditë pas ortakërisë dhe investimet e hedhura aty nga paratë publike humbën? A është bashkëadministrator te “Eco Tirana” (që ka 50% të aksioneve në “Eco Recycling”) i njëjti person që i çonte email Zotos?
Faktet kanë rëndësi më shumë se çdo fyerje dhe sharje!”- shkroi gazetarja e Birn.