Ish-ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, u paraqit mëngjesin e sotëm pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ajo shmangu çdo koment për gazetarët lidhur me arsyet e pranisë së saj në institucion.
Më herët, SPAK ka bërë me dije se ka zhvilluar hetime të shumta që lidhen me veprimtarinë e shtetasit Artan Gaçi, në kuadër të një bashkëpunimi të supozuar ose dijenieje të tij mbi dokumente të falsifikuara, përmes të cilave dyshohet se është përfituar tokë e kategorisë truall.
Sipas organit të akuzës, nga verifikimet e kryera nuk ka rezultuar asnjë e dhënë konkrete mbi sipërfaqe të përfituara apo prona të sekuestruara apo konfiskuara, të lidhura me ushtrimin e detyrës nga subjekti i posaçëm Olta Xhaçka në periudhën përkatëse.

