Omer Nishani në vitet 1940-1944 ishte anëtar i Këshillit të Shtetit gjatë pushtimit fashist. 

Ai u emërua nga mëkëmbësi Jakomoni dhe u shkarkua nga detyra më 10.1.1944.

Omer Nishani do të botonte një artikull më 12 prill në 1940-s ku lavdëronte bashkimin e Shqipërisë me Italinë.

Nga vitet 1946 deri në vitin 1953 Omer Nishani ishte drejtues i Prestidiumit të Kuvendit Popullor që më kushtetutë ishte dhe Presidenti i vendit. Ai vdiq në vitin 1954 dhe versioni zyrtar ishte vetëvrasja.

Artikulli i plotë i Omer Nishanit në gazetën “Tomori” të datës 12 prill 1940

Bashkimi i Shqipërisë me Italianë fashiste

Nga Omer Nishani

Dita e sotme shënon një datë historike për Shqipërinë. Si sot një vit, u përmbloth në Tiranë Asambleja Konstituente, e cila vendosi me unanimitet, me një zë, transmetimin e kunorës së Skënderbeut, Mbretit Perandor Viktor Emanueli III. Qysh nga ajo ditë Shqipëria e bashkoi fatin e saj me atë t’Italisë Fashiste dhe shqiptarët vunë në krye një sovran të vërtetë, një Mbret  ndër duart e të cilit kurora e Skënderbeut mban meritën e saj historike. Dita 12 prill 1939 hapi një fazë të re për vendin tonë të  mjerë, i cili pati fatin e zi të qeveriset 15 vjet me radhë prej një grupi parazitësh që s’kishin tjetër qëllim veçse të pasuroheshin në dëm të interesave të popullit e të shtetit. Dëmet  materiale e morale që i bëri vendit regjimi i Ahmet Zogut janë mjaft të freskëta në kujtesën e popullit sa të jetë nevoja t’i përmendim këtu. Por s’mund t’i shkojmë në heshtje vrasjet, burgosjet e vjedhjet sistematike të regjimit të kaluar. Për një kohë të largme, vrasja e Gurakuqit dhe burgosja e Ali Tabakut, i cili vdiq në burg të Tiranës nga druri e nga mizeri, mjafton për të na kujtuar gjakpirësitë e një regjimi katil. Barbarizmat e regjimit në zbulimin e organizatës së Vlorës, në lëvizjen e Fierit dhe të Delvinës, kapërcejnë dhe ato të kohës së mesme. Përveç atyre që u ekzekutuan, shumë nga të burgosurist që rrojnë, kanë në trup pasojat e rrahjes dhe të vuajtjeve në burg. Një djalë i ri nga Cakrani, Jashar Sulo, me të cilin më qëlloi të jem në mbrëmje në “Kursal”, vuan nga një sëmundje e trurit, nga një ilet që e ka trashëguar prej drurit të xhelatëve të regjimit. Tek bisedonim, i gjori djalë ra pa mënd në gjunjët e kushëririt të tij që e kishte afër. Të rënët e djalit sikur iu  pre koka, na habiti e na pikëlloi të gjithëve sa ishin rreth e rrotull. Pas një çerek ore erdhi në vete Jashari, i cili s’mbante mend hiç fare ç’i ngjau. Kështu u bëra dëshmonjësi i helmuar i kësaj pamjeje tragjike e cila është provë e gjallë e barbarimave të regjimit zogolljan. Ky regjim, me grabitjen sistematike që pat vënë në urdhër të ditës, i dha torvën popullit shqiptar. Katundari e shiste gjënë për jo pak paha. Bujku ishte mos më keq. Punëtori punonte si i ziu i jetës, tërë ditën e perëndisë, për tre lekë më pak. Me një fjalë, masat e gjera të popullit vdisnin për bukë, të cilën edhe kur e kishin, e hanin shumë herë pa kripë se monopolistët e pangopur donin dividente të majme. Kështu që trupi i shtetit ishte bërë krejt anemik, kishte mbetur pa gjak, dhe ishte gati të jepte shpirtin. Efektet katastrofike të regjimit çkatërronjës i pamë në fytyrën e zbehtë të popullit kur u këthyem nga mërgimi. Fytyrat e njerëzve ishin nxirë nga uria, robat e tyre vjetëruar e bërë cop’ e çikë. Zia e mizerja dukeshin në fytyrën e popullit të tërë. Pas një mot bashkimi me Italinë Fashiste gjendja ndërroi krejt. Nisi një lëvizje, një gjallëri ekonomike, e cila i dha punë dhe bukë popullit. Katundari dhe bujku, me ngritjen e gjërit të prodhimit, nisi të fitojë, marrë frymë e të ngjallet. Punëtori fiton 10 lekë në ditë dhe kërkohet me qeri. Gjithë kjo lëvizje ekonomike që solli me vehëte dita historike e sotme, qe një hedhje gjaku në damar të një trupi që kish vajtuar në buzë të varrit. Me këtë gjak të ri u ringjall trupi i shtetit shqiptar, nisi të tregojë aktivitet në të gjitha drejtimet. Një erë e nxehtë dinamizmi fryn nga veriu e gjer në jug të Shqipërisë. Për këtë dëshmojnë organizimi i rinisë, veprat publike që bëhen në çdo vend të Shqipërisë. Godina të ndryshme ngrihen, rruga, ura ndërtohen, spitalet shtohen. Ujët e pijshëm që u soll në Tiranë për një muaj e sipër është një provë e shpejtësisë që ndjek në rithmën e punimeve botore sistemi fashist. Me rastin e ditës së sotme, dua të them dhe dy fjalë për regjimin fashist. Ky regjim i përshtatet fare mirë vendit tonë i cili ka mbetur prapa në punë t’organizimit. Kombësia dhe indipendenca mund të mbahet me një organizim të mirë e me një dishiplinë të fortë ashtu siç kërkon doktrina fashiste. Ne kemi nevojë të organizohemi e të dishiplinohemi duke patur për dogmë fashizmën shqiptare që do na forcojë kombësinë brenda në suazën e Perandorisë romake. Vetëm kështu do mund të realizohet, një ditë, dëshira e zemrës sonë: zgjerimi i Shqipërisë në kufijtë etnikë. Regjimi i Zogut qe armik i çdo organizimi, se kishte frikë mos e rrëzonin, kurse regjimi Fashist e organizoi gjithë Shqipërinë. Regjimi zogolljan ishte kundër popullit, kurse regjimi Fashist është për popullin e me popullin. N’atë regjim, nderi dhe ligji shkeleshin, kurse në këtë të sotmin respektohen. Sot gjykatoret janë indipendente dhe gjykatësit i japin vendimet lirisht pa patur frikë nga kurrkush. Nashti me çdukjen e regjimit të Zogut, popullit iu hoq një ankth i tmerrshëm që i rëndonnte në shpirt prej 15 vjetësh. Iu duk sikur shpëtoi nga kthetrat e një kuçedre që i thithëte gjak. Dita 12 prill 1939 i dha fund regjimit të korruptuar të një grup hajdutëve. Gjithashtu i dha fund përgjithëmonë edhe lakmive imperialiste të fqinjëve tanë që vizonin copëtimin e Shqipërisë dhe çfarosjen e racës shqiptare. Prandaj meriton të festohet me madhështi të veçantë. Rroftë Mbreti ynë Perandor Viktor Emanueli III! Rroftë Duçja ynë i Madh.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *