Organizata e Medias ka reaguar përmes një deklarate për shtyp lidhur me ndryshimet e propozuara në Kodin Penal që kanë të bëjnë me dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët. Sipas saj, ndonëse disa prej ndryshimeve përmbajnë elementë pozitivë, drafti që pritet të votohet sot nuk përmbush standardet e Bashkimit Evropian dhe nuk garanton plotësisht lirinë e shprehjes.
Në deklaratë theksohet se projektligji parashikon mbrojtje dhe dekriminalizim të shpifjes vetëm për gazetarët e regjistruar dhe të njohur zyrtarisht, çka sipas organizatës nuk përbën një zgjidhje të pranueshme. Organizata nënvizon se Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një regjistër për gazetarët, pasi çdo përpjekje për ta rregulluar profesionin përmes regjistrimit krijon pasiguri juridike dhe cenon lirinë e shprehjes.
Sipas Organizatës së Medias, këto ndryshime nuk prekin vetëm gazetarët, por edhe aktivistët e shoqërisë civile, të cilët rrezikojnë të kufizohen në shprehjen e mendimeve kritike. Po ashtu, organizata thekson se këto shqetësime ndahen edhe nga struktura të tjera vendase dhe ndërkombëtare.
Në qëndrimin e saj, Organizata e Medias vlerëson se reforma për dekriminalizimin e shpifjes nuk i adreson të gjitha problemet që lidhen me lirinë e medias, duke kërkuar një reformë më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse. Kjo reformë, sipas saj, duhet të përfshijë përmirësimin e kushteve të punës, mbrojtjen nga presionet politike dhe garanci reale për pavarësinë e gazetarëve.
Në përfundim, Organizata e Medias u bën thirrje mazhorancës dhe deputetëve të Kuvendit që të mos votojnë ndryshime sipërfaqësore dhe ta përmbyllin reformën në përputhje me standardet evropiane, duke garantuar mbrojtje të plotë për lirinë e shprehjes.

