Nga Lutfi Dervishi
Me një ceremoni që mund të rivalizojë çdo samit të NATO-s për nga serioziteti dhe pompoziteti, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka organizuar takimin e dytë rajonal të ekspertëve për të diskutuar… përmirësimin e kuadrit rregullator për njësitë e qenve të policisë.
Ngjarja e dates 1 Mars, e cila lë në hije dy samite të rëndësishme të mbajtur po në Tiranë do të hyjë në histori si kontribut i çmuar jo vetëm për sigurinë rajonale, por edhe për diplomacinë ndërkombëtare.
Eventi që mblodhi elita të qenve të policisë nga e gjithë Ballkani dhe më gjerë, u raportua në detaje nga media gjysëm zyrtare.
“Duke marrë parasysh sfidat e ngjashme me të cilat përballet rajoni ynë,” tha një zyrtar i OSBE-së me një seriozitet që do të bënte për të qeshur edhe një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, “këto takime shërbejnë si një platformë për shkëmbimin e njohurive mes qenve që përfitojnë nga projektet e ndihmës së OSBE-së.”
Ndërsa, një përfaqesues i lartë i ministrisë se Brendshme, theksoi rëndësinë e këtyre takimeve për “rritjen e kapaciteteve të Policisë Kufitare dhe Migracionit”.
Por, ylli i vërtetë i seminarit ishte manuali i sapohartuar i trajnimit. Një dokument i tillë, i përgatitur” në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sipas nevojave të Policisë së Shtetit,” është aq cilësor saqë mund të bëjë që librat e Harry Potter të duken si letërsi e dorës së fundit.
Manuali do të shërbejë si një mjet për rritjen profesionale të të gjithë shoqëruesve dhe instruktorëve të qenve të policisë, duke i pajisur ato me aftësitë e nevojshme për të zbuluar armët e zjarrit, municionet dhe lëndët plasëse të jashtëligjshme.
Imagjinoni vetëm për një moment sikur me fondet e BE dhe nën kujdesin e OSBE, qentë e pranishëm të trajnoheshin edhe për nuhatjen e parave të pista, për drogën dhe pse jo edhe shitblerjen e votës.
Një qen që nuhat paratë e pista jep një kontribut praktik të vlefshem sa të gjithë rekomandimet e Money Val për Shqipërinë. Po kështu duke nuhatur paratë në tuba sobe, kasaforta apo muret e shtëpive të shërbëtoreve publike qentë do të ishin heronjtë e luftës së pastrimit të parave.
Sa i përket nuhatjes së drogërave të forta apo kanabisit, qentë e këtushëm falë pervojës së fituar ndër mandate mund të trajnonin qentë e rajonit dhe më gjerë.
Tjetër kontribut të madh, qentë (nëse trainohen siç duhet) mund të japin për të luftuar fenomenin e shemtuar të shitblerje se votes. Me këtë kontribut plotesohen edhe 90% e rekomandimeve të OSBE-ODHIR për çdo zgjedhje në Shqipëri
Manuali i ri i trajnimit do të përfshinte kapituj të tërë kushtuar teknikave të avancuara të nuhatjes për zbulimin dhe identifikimin e individëve të përfshirë në blerjen dhe shitjen e votave.
“Një Kapitull i Ri në Luftën Kundër Korrupsionit: Qentë e policisë dhe aftësitë e tyre të jashtëzakonshme” do të ishte një broshurë që do të lexohej me endje nga të gjithë, nga zyrtarët e lartë të shtetit, kryetaret e partive, deputetët, e deri tek qytetarët e zakonshëm, të cilët dëshirojnë të shohin ndryshim.
Mendoni për një moment një botë pa drogë, pa armë, pa para të pista dhe pa shit-blerje votash”. Shqipëria ka shanse të jetë vendi i parë që bëhet parajsa mbi dhe.
Vendi e ka domosdoshmeri anëtaresimin në BE. Por nisur nga seminari i fundit i OSBE-se ja vlen me shumë të investosh te qentë se te Inteligjenca Artificiale. Investimi është afat gjatë sepse kur hedh paratë ne këtë sektor ke investuar jo thjesht te qentë e sotëm, por edhe te qentë e bijtë e qenve.
I vetmi rrezik në këtë skenar është se pas trainimit të qenve (edhe për drogen, paratë e pista dhe shit -blerjen e votes) dhe përgatitjes së manualit përkatës, OSBE del pa punë. Tek e fundit, projektet revolucionare gjithmonë kanë krijuar probleme sociale! Progresi është i pamëshirshëm!
P.S. Kur ta tërmeti me 2019 rezultoi se nuk kishim asnjë qen. Qeni mbërriti nga Kosova. Për tërmetin e ardhshëm jemi të sigurtë që në mos qen, patjetër do të kemi një manual të shkëlqyer!