Lindi në Tiranë, aty ku mori arsimin fillor, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Shkodër. Ishte pjesë e rinisë shqiptare që doli hapur kundër pushtimit fashist të Shqipërisë më 1939. Në shtator të vitit 1939, Osman Kazazi dërgohet me studime në degën e farmacisë në universitetin “La Sapienza” të Romës. Gjatë kthimit në Shqipëri për pushimet verore më 1942, ai ndërpret studimet dhe bëhet pjesë e organizatës “Balli Kombëtar”. Falë arsimit që kishte, Osman Kazazi kontribon aktivisht në shtypin e organizatës.
Pa u çliruar ende e gjithë Shqipëria, Osman Kazazi arrestohet nga komunistët më 14 nëntor 1944 si aktivist i Ballit Kombëtar dhe me ide antikomuniste. Dënohet plot 3 herë gjatë regjimit komunist, duke vuajtur gjithsej 40 vjet; nga këto 33 vjet i burgosur kryesisht në burgun famëkeq të Burrelit.
Pas rënies së komunizmit, Osman Kazazi luan një rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen e vlerave të demokracisë. Ka qenë kryetari i parë i “Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”. Ndërron jetë më 3 mars 1999.
Është dekoruar me një sërë titujsh si: “Pishtar i Demokracisë”, “Qytetar Nderi i Shkodrës”, “Qytetar Nderi i Tiranës”, “Medalja e Artë Joannes PP II” nga Vatikani, “Për merita në shërbim të njerëzve” nga qyteti i Veronës në Itali.