Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka tërhequr zyrtarisht kërkesën e paraqitur më 22 korrik 2025 në Gjykatën Kushtetuese, që lidhej me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Shkak për këtë veprim, sipas presidentes, është fakti se si gjyqtar raportues për këtë lëndë ishte caktuar Radomir Llaban – një emër që sipas saj përbën rrezik për rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të vendit.

Në një konferencë për media, Osmani sqaroi se vendimi për të tërhequr kërkesën u mor pas informacioneve zyrtare të pranuara nga institucionet e sigurisë në Kosovë, të cilat kanë dorëzuar raporte në tre periudha të ndryshme – 2018, 2021 dhe 2024 – që dëshmojnë për veprimtari të dyshimta të gjyqtarit Llaban.

“Kjo nuk ka të bëjë me vlerësimet apo perceptimet e mia si presidente, por me informata zyrtare të institucioneve tona të sigurisë, të dorëzuara tri herë në periudha të ndryshme”, – u shpreh Osmani.

Ajo theksoi se kërkesa e dorëzuar në Kushtetuese kishte karakter preventiv dhe kishte për qëllim të adresonte pasojat juridike që mund të rridhnin nga moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar nga aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës – deri më 26 korrik.

Kontestimi i përzgjedhjes së gjyqtarit

Sipas ligjit dhe rregullores për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari raportues për një çështje caktuhet nga kryetari i Gjykatës, përmes një sistemi elektronik ose me diskrecion të plotë. Presidentja Osmani ngriti pikëpyetje mbi faktin se si një gjyqtar për të cilin ka informata të përsëritura për rrezikim të rendit dhe sigurisë kombëtare, mund të caktohet për një rast që prek thellësisht rendin kushtetues.

“Ky është ndoshta rasti më i rëndësishëm i dekadës, dhe është shqetësuese që gjyqtari për të cilin ka kaq shumë informacione të dorëzuara nga institucionet e sigurisë, caktohet si raportues për këtë lëndë”, – tha ajo.

Radomir Llaban, sipas informacioneve të presidentes, është i nacionalitetit serb dhe nuk figuron të ketë qenë më parë raportues në lëndë që prekin çështje të rendit dhe sigurisë kombëtare.

Veprimi i Gjykatës Kushtetuese

Pavarësisht tërheqjes së presidentes, më 24 korrik 2025, Gjykata Kushtetuese ka vendosur ex officio një masë të përkohshme që ndalon çdo veprim për konstituimin e Kuvendit pas datës 26 korrik, në rast se nuk arrihet konsensusi për mbledhjen e tij. Kjo masë është në fuqi deri më 8 gusht 2025 dhe vjen pas kërkesave të ndara të dorëzuara nga partitë PDK dhe LDK.

Seanca e fundit e Kuvendit është mbajtur më 26 korrik – dita e fundit e afatit kushtetues për konstituim.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *