Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik ka sjellë reagime nga punonjësit e ndërmarrjeve publike, të cilët paralajmërojnë protesta dhe grevë, nëse nuk përfshihen edhe ata në këtë përfitim.

Kryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, ka deklaruar se mbi 4 mijë punëtorë të KEK-ut janë përjashtuar nga kjo masë, edhe pse, sipas tij, bëhet fjalë për një ndërmarrje që kontribuon ndjeshëm në buxhetin e vendit. Ai e cilësoi vendimin si një standard të dyfishtë ndaj punëtorëve të ndërmarrjeve publike.

Llumnica theksoi se, në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh, sindikatat do të detyrohen të organizojnë protesta të mëdha dhe madje edhe grevë, për të kërkuar përfshirjen në pagën e 13-të.

Pakënaqësi ka shprehur edhe kryesindikalisti i “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, i cili tha se vendimi ka zhgënjyer minatorët dhe punonjësit e kësaj ndërmarrjeje. Sipas tij, shumë prej tyre nuk e kuptojnë arsyen pse janë përjashtuar nga kjo masë, pavarësisht se shteti është aksionari kryesor në “Trepçë”.

Ndërkohë, vendimi i Qeverisë për pagën e 13-të pritet të përfshijë rreth 85 mijë punonjës të sektorit publik dhe t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 75 milionë euro.

Kritika për këtë vendim kanë ardhur edhe nga organizatat e shoqërisë civile. Nga Instituti GAP është theksuar se një masë e tillë do të ishte më e drejtë, nëse do të mbështeste punonjësit me paga më të ulëta në të gjithë ekonominë, përfshirë edhe sektorin privat.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se qeveria është duke përgatitur edhe një paketë të re masash kundër inflacionit, e cila synon të ndihmojë edhe punëtorët e sektorit privat.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *