Kontabilisti Armand Mala shpjegon se janë të shumta rastet kur është tentuar të plotësohet DIVA për punonjës me të ardhura mujore 50 mijë lekë, me qëllim përfitimin e kompensimit për fëmijët në ngarkim, por sistemi nuk arrin ta llogarisë.

Individët që gjatë 2025 kanë pasur pagë mujore bruto 50 mijë lekë apo 600 mijë lekë të ardhura në vit, nuk mund të përfitojnë kompensim për arsimin e fëmijëve përmes Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA), pasi rezultojnë pa tatim të paguar.

Mala thotë se individët me të ardhura mujore 50 mijë lekë rezultojnë me zero tatim të paguar gjatë vitit 2025. Për rrjedhojë, sistemi nuk u llogarit zbritje shpenzimesh për fëmijët në ngarkim dhe as tatim të mbipaguar.

Pra, tatimi i paguar prej tyre gjatë vitit është zero, ndaj nuk rezultojnë me tatim të mbipaguar që mund të përfitohet si kompensim për fëmijët në ngarkim përmes aplikimit në e-Tax.

Çfarë ndodh kur plotësohet DIVA për kompensim?

Në Seksionin B: Të dhëna për llogaritjen e tatimit:

  • Rubrika (3) Të ardhurat bruto nga marrëdhëniet e punësimit: 600,000 lekë
  • Rubrika (24) Zbritje nga të ardhurat nga punësimi sipas nenit 22, pika 1, germat a, b dhe c: 600,000 lekë
  • Rubrika (38) Tatimi mbi të ardhurat bruto nga marrëdhëniet e punësimit: 0
  • Rubrika (56) Shuma e tatimit të paguar dhe rubrika (58) Tatimi i detyruar për t’u paguar: 0

Sipas Malës, nëse tentohet të vendoset zbritje për fëmijë (rubrika 25: shumë kompensimi 48,000 lekë për çdo fëmijë në ngarkim nën 18 vjeç dhe rubrika 26: shpenzime për arsimin e fëmijëve), sistemi nuk e pranon.

“Në këtë nivel të ardhurash, sistemi nuk pranon zbritje shtesë, sepse baza tatimore është zero. Kompensimi aplikohet vetëm mbi tatimin e llogaritur dhe kur ai është zero, nuk ka çfarë të ulet më tej. Punonjësit me pagë 50,000 lekë në muaj nuk kanë detyrim tatimor vjetor dhe për rrjedhojë as të drejtë rimbursimi,” shpjegon Mala.

Kush përfiton kompensim nga DIVA?

Kompensim përmes DIVA përfiton çdo individ që ka fëmijë në ngarkim nën 18 vjeç dhe që, pas dorëzimit të deklaratës, rezulton me tatim të mbipaguar.

Sistemi llogarit automatikisht tatimin e mbipaguar pas zbritjes së shpenzimeve me vlerë 48 mijë lekë për çdo fëmijë në ngarkim dhe deri në 100 mijë lekë për shpenzime arsimore nëse të ardhurat janë nën 1.2 milionë lekë në vit.

Nëse rezulton tatim i mbipaguar, kompensimi kalon në llogarinë bankare të deklaruesit pas aplikimit në e-Tax.

Sipas shembujve të publikuar, kompensimi ndryshon në varësi të të ardhurave dhe numrit të fëmijëve në ngarkim. Për të ardhura mbi 1.2 milionë lekë në vit me një fëmijë, kompensimi për arsimin llogaritet rreth 62 euro në vit.

Në rastin e të ardhurave mbi 2 milionë lekë në vit me dy fëmijë në ngarkim, pas zbritjes së 96 mijë lekëve për fëmijët, tatimi i mbipaguar është rreth 12 mijë lekë.

Për individët që paguhen mbi 200 mijë lekë në muaj dhe tatohen me 23%, kompensimi është 11,040 lekë për fëmijë.

Shuma maksimale e kompensimit arrin deri në 250 euro për individët me të ardhura nën 1.2 milionë lekë në vit, që përfitojnë edhe zbritjen për fëmijët dhe shpenzimet arsimore.

Kompensim mund të përfitojnë edhe individë pa fëmijë në ngarkim, nëse nga rillogaritja vjetore rezultojnë me mbipagesë tatimore.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar se të gjithë individët që pas plotësimit të DIVA 2025 rezultojnë me tatim të mbipaguar, kanë të drejtë të aplikojnë për rimbursim.

Tatimi këtë vit rillogaritet mbi bazë vjetore dhe jo mujore, çka mund të sjellë mbipagesë për disa individë, në varësi të shpërndarjes së të ardhurave gjatë vitit.

Si bëhet aplikimi për kompensim?

Individët duhet fillimisht të plotësojnë të dhënat e llogarisë bankare te “Profili im” në “e-Filing Im”.

Më pas, te “Çështjet e mia” përzgjidhet opsioni “Pyetje të Përgjithshme” për të krijuar një çështje të re me përshkrimin:
“Unë, (emër, mbiemër), me numër identifikimi (…), paraqes kërkesën për rimbursim/kompensim të DIVA.”

Dokumentet që duhen bashkëngjitur:

  • Dokument me të dhënat e llogarisë bankare (IBAN)
  • Certifikatë familjare
  • Faturat e fiskalizuara që vërtetojnë shpenzimet arsimore për vitin 2025

Sipas nenit 22 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale:

  • Deri në 600,000 lekë në vit: zbritje 600,000 lekë
  • 600,001 – 720,000 lekë në vit: zbritje 420,000 lekë
  • Mbi 720,000 lekë në vit: zbritje 360,000 lekë

Në rastin e një page 50,000 lekë/muaj (600,000 lekë në vit), zbritja e lejuar është 600,000 lekë dhe tatimi për t’u paguar është 0.

Burimi: Monitor.al

https://monitor.al/pagat-50-mije-leke-muaj-nuk-perfitojne-kompensim-nga-diva-pasi-nuk-kane-paguar-tatim/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *