Humbja e Realit të Madridit në Lisbonë ndaj Benficës me rezultatin 4-2 vijon të prodhojë reagime të forta brenda klubit madrilen.
Disfata e pësuar të mërkurën e kaluar i la “Los Blancos” jashtë tetë skuadrave më të mira të Ligës së Kampionëve, duke i detyruar të kalojnë në fazën “playoff”, një skenar që në ambientet e klubit konsiderohet dështim për objektivat dhe ambiciet e sezonit.
Pas një serie paraqitjesh pozitive, ky rezultat u perceptua si një hap i madh pas, duke ndikuar menjëherë edhe në klimën që rrethon ekipin dhe trajnerin Alvaro Arbeloa.
Vlerësimet pozitive të kohëve të fundit për teknikun spanjoll janë zëvendësuar me kritika, teksa fokusi është zhvendosur te problemet në repartin mbrojtës dhe mungesa e përkushtimit të disa lojtarëve në fushë.
Sipas raportimeve të COPE, edhe brenda dhomës së zhveshjes kanë nisur të shfaqen shenja pakënaqësie, kryesisht nga disa futbollistë të rinj.
Franco Mastantuono dhe Arda Güler thuhet se janë të zhgënjyer me vendimet e Arbeloas, pasi janë zëvendësuar herët në ndeshje të rëndësishme dhe ndihen të penalizuar për shkak të mungesës së statusit të tyre në ekip.

