Një nga figurat themeluese të Nismës Thurje, Pano Soko, ka njoftuar largimin nga çdo funksion politik brenda kësaj force, duke e konsideruar krizën e fundit brenda partisë si një pikë të pakthyeshme që ka shkatërruar besimin e ndërtuar ndër vite.
Në një deklaratë të gjatë në rrjetet sociale, Soko e cilësoi përplasjen mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit për mandatin e deputetit si një “turpërim politik dhe moral”, i cili, sipas tij, “ka shkatërruar brenda një jave gjithë besimin dhe punën shumëvjeçare për ngritjen e një alternative të re politike.”
“Ngjarjet e fundit që ndodhën, ishin një turpërim i pamerituar në sytë e gjithë atyre që na votuan dhe që me votën e tyre na ngarkuan përgjegjësinë e rëndë për të qenë zëri dhe fytyra e tyre në jetën politike e publike të vendit,” shkruan Soko.
Ai thekson se pavarësisht përpjekjeve personale për të ulur tensionet dhe për të sjellë racionalitet në një klimë emocionale, nuk arriti dot të parandalonte degradimin e situatës.
“Fatkeqësisht nuk arrita dot. Prandaj unë sot dua të përmbush përgjegjësinë për aq sa më takon përballë gjithë atyre që na besuan, ndaj vendosa të tërhiqem nga çdo funksion dhe angazhim politik që kam në partinë Nisma Thurje.”
Soko nuk kurseu kritikat ndaj mënyrës se si u administrua procesi i përzgjedhjes së deputetit pas dorëheqjes së Lapajt. Ai u shpreh i indinjuar që mandati përfaqësues për 65 mijë votues i shkoi një personi që “as e donte, as nuk punoi për ta marrë, as e kishte ambicie”. Sipas tij, kjo është “një vijë e kuqe”.
“Ne iu premtuam njerëzve që në parlament do të çonim atë që ata vetë do të vendosnin me votën e tyre. I thamë që mos merakoseshin se e kishim të garantuar mekanizmin. Por doli që i gënjyem!”
“Në këtë javë ne treguam që nuk jemi shumë larg tyre. Ne zhbëmë gjithë atë iniciativë fantastike, që ishte sfidimi i sistemit të listave të mbyllura dhe garimi me lista të hapura. Sot mandatin e koalicionit e mori një person që nuk ishte zgjedhja e votuesve.”
Për Sokon, dështimi për të përfaqësuar realisht vullnetin e qytetarëve është një pikë-thyerje morale:
“Nuk i shoh dot më njerëzit në sy. Më vjen turp kur më shkruajnë apo më ndalojnë në rrugë… Sepse personalisht besoj që morali dhe ndershmëria janë dy tipare themelore që i kanë munguar politikës deri më sot dhe që ne do të duhej të sillnim.”
Ai përmendi gjithashtu se edhe Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, e shumëkritikuar për mënyrën e funksionimit të saj, arriti të aplikojë listat e hapura më me sukses sesa Nisma Thurje.
“PSD e Tom Doshit aplikoi listën e hapur me sukses. Ne që e ngritëm si kauzë dhe e shpikëm si mekanizëm, ne dështuam. Ky është një turp!”
Përkundër largimit nga politika aktive, Pano Soko premtoi se do të vijojë të jetë i angazhuar në jetën publike, veçanërisht në çështjet që lidhen me ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit.
“Politika, për mua, ka qenë gjithmonë dhe vetëm vokacion. As kam përfituar ndonjëherë diçka prej saj dhe as e kam parë ndonjëherë si mjet përfitimi. Ka qenë dhe mbetet vokacion që do të vazhdoj ta përmbush. Por tashmë si qytetar aktiv.”