Romë, 21 Prill 2025 — Me dhimbje të thellë, bota mbarë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, në moshën 88-vjeçare. Ati i Shenjtë ndërroi jetë në mëngjesin e së hënës, në orën 07:35, në Casa Santa Marta në Vatikan, ku ishte transferuar pasi ishte liruar nga spitali Gemelli për probleme shëndetësore.

Lajmin e trishtë e bëri të ditur Kardinali Kevin Farrell, i cili deklaroi:

“Të dashur vëllezër dhe motra, me dhimbje të thellë më duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Françesku. Në orën 07:35, peshkopi i Romës u kthye në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe Kishës së Tij. Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, veçanërisht në favor të më të varfërve dhe më të margjinalizuarve. Me mirënjohje të pamasë për shembullin e tij si dishepull i vërtetë i Zotit Jezus, ne e përgëzojmë shpirtin e Papa Françeskut në dashurinë e pafundme të mëshirshme të Zotit Një dhe Triuni.”

Vetëm një ditë më parë, në të dielën e Pashkëve (20 prill), Papa Françesku kishte marrë pjesë në kremtimet e meshës dhe ishte shfaqur në lozhën e Shën Pjetrit për të dhënë bekimin tradicional Urbi et Orbi, para se të përshëndeste turmën e besimtarëve në sheshin e Vatikanit.

Jorge Mario Bergoglio, i lindur më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires të Argjentinës, u zgjodh Papa i 266-të i Kishës Katolike në vitin 2013. Ai ishte jezuiti i parë që mori fronin papnor dhe gjithashtu Papa i parë nga kontinenti amerikan.

Gjatë pontifikatit të tij, Papa Françesku do të mbahet mend për përulësinë, thjeshtësinë dhe angazhimin e tij të palëkundur për të drejtat e të varfërve, drejtësinë sociale dhe dialogun ndërfetar. Ai i dha Kishës një fytyrë më të afërt me njerëzit, shpesh duke sfiduar normat dhe duke folur hapur për sfidat e kohës.

Ceremonitë mortore pritet të mbahen në ditët në vijim në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku liderë botërorë dhe besimtarë nga mbarë bota do të mblidhen për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej figurave më të dashura të epokës moderne.

Pusho në paqe, Papa Françesku!

By Editor