Vetëm një muaj pasi u emërua në krye të qeverisë franceze, Sébastien Lecornu ka paraqitur dorëheqjen e tij para presidentit Emmanuel Macron. Vendimi erdhi disa orë pasi ai publikoi emrat e parë të kabinetit të ri qeveritar.
Lecornu u emërua kryeministër më 9 shtator, duke hyrë në histori si shefi i qeverisë me mandatin më jetëshkurtër në Republikën e Pestë. Dorëheqja pason kritikat e forta të marra menjëherë pas raundit të parë të emërimeve ministrore, të cilat u kundërshtuan si nga opozita, ashtu edhe nga një pjesë e koalicionit qeverisës.
Të dielën në mbrëmje, prezantimi i një pjese të qeverisë së re shkaktoi reagime të ashpra nga e djathta dhe kundërshtarët politikë të Macron. Lecornu pritej të mbante të martën deklaratën e tij të përgjithshme politike në Asamblenë Kombëtare, por dorëheqja e papritur i ndërpreu këto plane.
Pas lajmit, lideri i ekstremit të djathtë, Jordan Bardella, i bëri thirrje presidentit Macron që të shpërndajë Asamblenë Kombëtare dhe të thërrasë zgjedhje të parakohshme.