Nga Klodi Stralla

Pas dy ditësh, në Ditën e Armëpushimit, që shënon përfundimin e Luftës së Parë Botërore (11 nëntor 1918), drejtuesit më të lartë lokalë të Korçës dhe përfaqësues të Aleancës franceze të qytetit, si zakonisht, do të marrin pjesë me kurora dhe buqeta me lule, krahas përfaqësuesve të Ambasadës franceze, në ceremoninë e organizuar pranë Varrezave Franceze të qytetit, për të përkujtuar e nderuar ushtarët francezë të rënë gjatë kësaj lufte në territorin tonë.

Është një ceremoni rutinë, e përvitshme, që ne korçarët e kemi respektuar sepse me Francën e atyre viteve lidhet krijimi i Krahinës Autonome të Korçës dhe themelimi i Liceut Kombëtar, ngjarje që u bënë të mundura me vullnetin dhe mbështetjen e saj.

Por përpara kësaj ngjarjeje është dita e sotme, 9 nëntor 1917, dita e ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit nga një gjykatë ushtarake franceze në Selanik të Greqisë, me akuzën “tradhtar i Francës”, një akuzë për të cilën, edhe pse ka kaluar mbi një shekull (nga 1917 e deri më sot), shteti francez nuk ka sjellë ende asnjë provë. Është një detyrim ligjor dhe moral për një shtet si Franca, që shqiptarët dhe korçarët në veçanti e kanë konsideruar gjithmonë si mik.

Prandaj, para se të bëjmë gjeste kortezie, si ato në varrezat franceze më 11 nëntor, është mirë që më parë jo vetëm të kujtojmë e nderojmë këtë patriot të madh të kombit dhe qytetit tonë, Themistokli Gërmenjin, por edhe t’u kërkojmë autoriteteve franceze të sotme të zbardhin dosjen e gjyqit të Selanikut, pasi edhe afatet 100-vjeçare të deklasifikimit kanë përfunduar.

Kjo nuk është vetëm një çështje kurioziteti historik, por hedh dritë edhe mbi politikat e sotme të shtetit francez ndaj çështjes shqiptare në Ballkan. Kancelaritë e vendeve të mëdha si Franca kanë vijimësi në ruajtjen e aleancave.

PS. Në foto: bashkëshortja e Themistokliut, Efdoksia, duke vendosur një kurorë me lule në monumentin e tij në ditën e 9 nëntorit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *