Ish-zv/kryeministri, Arben Ahmetaj shkroi në profilin e tij në fejsbuk duke theksuar se do të paraqesë fakte dhe argumente për pafajësinë e tij në çështjen e inceneratorëve.
Ahmetaj shkruan me tone paralajmëruese duke pohuar se në ditët në vijim do të shpalosen fakte që provojnë se të tjerë individë janë kokat e inceneratorëve dhe jo ai vetë.
“ Une nuk hyj tek ‘fytyrat e bukura’ që ngjan bukur në TV, dhe të ngjall perceptim pozitiv, siç rëndom ndodh me këdo që refuzon të ikë nga ekrani duke treguar bëma të bëra e pabëra. Fatkeqësisht, ose fatmirësisht, s’jam i tillë. Nëna dhe babai më kanë dhënë një fytyrë krejt të zakonshme. Ndoshta, serioziteti im në punë mund të jetë marrë dhe për arrogancë, s’ka qenë kurrë i tillë, kush me njeh nga afër, e di mirë këtë gjë. Gjithsesi, ndjesë dhe për këtë.
Falenderoj dhe kolegët e mi të mazhorancës dhe opozitës për nxitimin e treguar këtë javë. I ‘mirëkuptoj’për këtë, sepse politika dhe drejtësia e re e akoma e hershme për t’u quajtur e maturuar, kërkojnë statistika. Siç tha dhe avokati im ‘Populizmi gjyqësor e penal në ngjitje është më i rrezikshëm se sa populizmi politik, për shkak se humbet e i mungon legjitimiteti demokratik’. Avokati im në Këshillin e Mandateve citoi një thënie të vjetër nga Franca: ‘E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit.’
Unë jo e jo që s’kam gjak blu, por jam një njeri tejet i zakonshëm, me gjak nga Gjirokastra, Vlora, Korça, Rrogozhina, Kavaja, Lezha, Kukësi e Tropoja nëse doni. Dhe lutem e shpresoj që Drejtësia e Re që unë e kam mbështetur e votuar me të dyja duart, të mos deformohet nën presionin e politikës dhe statistikës.
E kam përjetuar diku me qetësi, diku me ‘buzëqeshje të brendshme’, diku me revoltë të brendshme, nxitimin triumfues të largimit një vit më parë, totalisht një sinjal për ‘të gjitha kafshët e pyllit’, kërcënimin me demek indirekt në një forum partie ‘se do ikja në të s’ëmës’, habinë dhe thyerjen kur mora vesh se kush nga ‘tanët’ ( së bashku me ata që më duan të vdekur, sic tha Fevziu në Opinion përpara disa muajsh), promovuan mercenarët të shërbenin kundër meje, ‘marrjen peng’ të bashkëjeteueses time dhe ish-bashkëshortes time, e më pas kontrollet spektakolare të emetuara si të ishin kallëpe të dala nga goja, e banesave, ku lajmi shkonte më parë në media sesa procesverbali në zyrat e institucionit; të qenit një ‘black falling star’ në një media kombëtare që e kam dashur dhe respektuar shumë (meqë ra fjala, dhe lufta në Kosovë dikur zgjati më pak në media se sa emri im servirur nga Spin Doktor/doctors si gjellë e helmuar e përditshme), pastaj disa “falanga” të dala nga kuadri i ligjit që nuhasnin gjurmët e mia. Në shumë vende demokratike ku Spin doctor/doctors nuk do arrijnë të strukturojnë mesazhin…kjo quhet “PËRNDJEKJE”. Ka një nen në Kodin penal, ndoshta 121, ndoshta 128.
Ah, harrova se si filloi, me frikën dhe stopimin e 90% të atyre që punoja në nivelet e larta në politikë apo ekzekutiv, e që dikur ndoshta i kam mbështetur e promovuar (me ato mundësi të miat), për të bërë atë që kishim bërë ndër vite, të ishim miq e shokë. I kuptoj që ‘duhet’ të kishin e kenë frikë, ndoshta. Nuk i mirëkuptoj, po e di që ishte gjendur ‘armiku’ që do dimensionohej e ridimensionohej më pas në shumë episode.
Dikush nga gazetarët tha që jam në 30 vjet zyrtari me i lartë që kanë qejf të më shohin në burg. Eee, Fatos Nano që unë e dua shumë dhe e respektoj pafund, dhe unë të bëhemi kujtesa se ç’mund të bëjë padrejtësia, politika dhe deformimi i drejtësisë. Mos më keqkuptoni, s’kam pasur kurrë ambicie të bëhem kryeministër, as në ëndrrat e mia më të thella të subkoshiencës. Thjesht e përdora si statistikë, referencë dhe të vërtetë të hidhur.
Dua të sqaroj qytetarët dhe mbi të gjitha votuesit e mi për çfarë dyshohem, apo siç kanë qejf disa gazetarë, opinionistë e politikanë, akuzohem:
1. Për njohje të hershme me një njeri i cili kur unë e kam njohur ka qenë njeri normal e në punën e vet? Nuk e di e s’marr përsipër të bëj gjyqtarin, për çfarë ka bërë në jetë ky njeri. Po nuk besoj se njohja me dikë që ndoshta drejtësia e akuzon, të bën të akuzuar apo bashkëpunëtor.
Unë në punën time në opozitë dhe më pas në qeveri, kam pasur kontakte me gati 100 përqind të bizneseve të vendit. Mijëra mëngjese pune, dreka pune, darka pune, takime pune kanë dhënë frytet e tyre në politikat e zhvillimit të vendit. Mendimet dhe kontributet e tyre kanë marrë qindra herë formën e nismave ligjore në funksion të zhvillimit të vendit.
Një gazetar që vlerësoj shumë për profesionalizmin, ka thënë diku që ‘çkodimi i Blackberry-t ka zbuluar’…
Bisedat e mia siç e theksova dhe dje, janë krejt normale dhe impotente në raport me favorizimin apo lobimin, aq më tepër në opozitë.
2. Se ish-bashkëshortja ime (që s’ka punuar kurrë në një institucion shtetëror) ka shitur metra katrorë, pronë e deklaruar në deklaratën time të pasurisë, në treg të lirë, si korrupsion? Pronën e familjes të deklaruar me burime të verifikuara, si korrupsion? Hetim kujt ia ka shitur pronën?
Nëna ime në 2006 ja ka shitur shtëpinë tonë motrës time, që jeton gati 17 vjet atje. Quhet fiktive?
3. Se bashkëjetuesja ime (që ka 20 vjet që punon në sektorin privat) dhe familja e saj ka blerë pronë në Hamallaj, me transaksion të pastër e të verifikuar bankar? Mercenarët e kapur në flagrancë kanë pretenduar se ka qenë pronë e Klodian Zotos. Bëjeni këtë pyetje publikisht. Klodian Zoto, që s’ka qenë kurrë miku im, nuk e ka pasur kurrë pronë, e s’ka paguar kurrë një cent për këtë pronë, që më pas të ishte në gjendje të falte e dhuronte këtë pronë. Verifikojeni, se është kollaj të mos e duash ‘fytyrën e ngrysur’ timen në perceptim.
4. Se kam bërë alokime e rialokime me kërkesë gjithmonë të ministrive të linjës, si ministër Financash? Ej, ministri i Financave bën gati 2000 rialokime e alokime e çelje investimesh në vit. Kush e njeh ligjin e buxhetit qesh me këtë akuzë. I lutem dhe e ftoj institucionin e drejtësisë ta lexojë këtë ligj.
5. Se kam bërë biznes ndërtimi në 2004 e kam marrë dhe kredi në 2006 për këtë biznes (e verifikueshme nga banka Amerikane, sot Intesa san Paolo)? Në Këshill u tha një e pavërtetë, që kredia është marrë në 2016. Kush ka ndërtuar e blerë shtëpi e di mirë si funksionon ky biznes në Shqipëri.
6. Për mosmarrje pjesë në procedurë të tenderave dhe koncesioneve, për shkak të pozicioneve të mia zyrtare? Pozicionet e mia zyrtare në Ministri të Ekonomisë apo Financave nuk marrin pjesë në procedura. Letrat janë atje. S’kam marrë pjesë në procedurat e inceneratorëve. Letrat do dalin, e nëse dikush do të kërkojë t’i fshehë, do dalin gjithsesi.
7. Se është përdorur fondi rezervë për financimin e inceneratorit të Elbasanit? Edhe sikur të ishte kështu, do ishte sërish komplet ligjore. Por financimi i inceneratorit të Elbasanit është bërë kur unë s’kam qenë Ministër Financash, dhe është bërë në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Paraardhësi im, Z. Shkëlqim Cani dhe qeveria ka zbatuar ligjin në këtë vendim. Mësova kur u thira në SPAK, se nuk e mbaja mend, që as nuk kisha marrë pjesë në atë mbledhje qeverie.
Për ju që i lexoni si kurreshtarë (nëse i lexoni), hetimi ndaj meje s’ka pasur fare të bëjë me inceneratorët, se unë për shkak të pozicioneve s’kam pasur tagër të përfshihem në procedurat e tenderimit. Është hetuar Arbeni, jeta e tij për 25 vite, dhe jo procedura. Të thahet liqeni, mbase ngelet peshk në taban. Standard që s’duhet t’i përkasë Drejtesisë së Re!
Kushdo që është rritur me mua në fëmijëri, apo ka pasur lidhje miqësore apo dikur biznesi e tavolinash, është hetuar. Nexhmija po të ishte gjallë do thoshte “mua s’më qenka bërë asgjë nga ‘non grata’ që është lëshuar si hijenë bashkë me të deformuarin e zëshëm, apo ‘miq’ me thika blu e rozë.
Dikush më tha ‘të duan në burg vëlla’.
Kam marrë kërcënime (i kam me screenshot e me zë ndoshta), madje së fundi dhe një mesazh triumfi, si mirëseardhje… Nëse do ta meritoj, sigurisht që do ndodhi… po jo përpara se e vërteta të marrë rrugë e dritë.
Shpresoj të dalin sa më shumë shkresa e letra të miat, si ato që BIRN nxori dje, që qytetarët të kuptojnë (aq sa mundet), që puna ‘e fytyres së ngrysur’ ka qenë në interes të publikut.
Më kanë quajtur ‘në arrati’. Kam ikur për arsye seroze familjare (një pjesë e miqve të mi e dinë përse), dhe besoj e mendoj kam ikur përpara se kërkesa e SPAK për heqjen e imuitetit tim të ketë shkuar në postë për të arritur pas disa ditësh në Kuvend. Kush ka qejf për scoop, ta quajë ‘arrati’. Dhe Luigjit të XVI iu dha katër ditë kohë përpara se t’i pritej koka, ndërsa mua e avokatëve të mi, as 24 orë (17 orë gjithsej) për një dosje 230 faqe e mbushur me supozime e ndoshta ‘palë të treta’ e një material 60 GB.
Së fundmi, i falenderoj të gjithë kolegët e mi, të mazhorancës dhe opozitës që do të votojnë sot, dhe ata që vrapojnë dhe thonë që përgjegjësia është personale. Po, personale është, kur e shkel. Sidomos për ata të hershëm, sot në opozitë, e të rinj që firmosin për punë e projekte….
Në mbyllje, i kërkoj të falur familjes time, Livias, Kejsit, Kejlis, Erjolës bashkëjetueses time, Albinës, ish-gruas time, nënës time, motrave të mia, miqve të mi, për shqetësimet që i kam sjellë padashje me këtë histori. Shpresoj që të më falin në këtë jetë.
I kërkoj të falur dhe votuesve të mi, po Zoti e di të vertetën, që unë do mundohem ditë pas dite ta nxjerr.
To be continued…” – shkruan ai.