Shënim redaksional

58 vite pritje për një trofe. Humbja e fundit në miqësoren me Islandën. Breza të artë, djegur njëri pas tjetrit. Shterpësia e “Tre Luanëve” për shumëkënd tashmë përbën një mallkim, mirëpo përvoja tregon se mallkimet nuk ekzistojnë kur idetë janë të duhurat dhe garantët e zbatimit të tyre janë të duhurit.

Anglia e trajnerit Garet Sauthgejt vjen në “Euro 2024” si pretendentja e përhershme, e destinuar të dështojë. 

A do të thyhet agonia angleze pikërisht në tokën gjermane? Mundësitë janë të shumta. 

Garet Sauthgejt pritet t’i besojë sërish portën një veterani si Xhordan Pikford. Portieri i Evertonit nuk është ngjitur asnjëherë në elitën e portierëve, por garancitë që ofron mbeten shumë më të larta krahasuar me gafistët epokalë si Simën, Xhejms, apo Hart.

Nëse Anglia ka një “Thembër të Akilit”, ajo është pikërisht mbrojtja. Kajl Uoker dhe Luk Shou pritet të konfirmohen në linjat e prapavijës. Sprova e Sauthgejt do të jetë gjetja e partnerit ideal për Xhon Stons në qendër. Ezri Konsa i Aston Vilës dhe Mark Guehi i Kristal Palas janë dy kandidaturat favorite për të formuar dyshen e qendrës me Stons. Të dy qendrat kanë zhvilluar sezone shumë të mira me ekipet respektive dhe vlerësohen si elemente me shumë potencial dhe të ardhme. Ljuis Dank i Brajton është një tjetër alternativë, ndërkohë që nuk mungon dhe rezerva e përhershme e luksit, Xho Gomez.

Mesfusha angleze ofron kualitet, përvojë, gjeometri, talente që premtojnë shumë. Deklan Rajs do të jetë nyja mes reparteve me mesfushorin e Arsenalit që vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm me fanellën e “topçinjve”. Edhe në mesfushë, konkurenca për një vend në dyshen me Rajs përpara mbrojtjes është shumë e fortë. Konor Gallager tashmë ka formësuar staturën e mesfushorit që jep garanci. Pritjet janë të mëdha për dy talentet, Kobi Maino të Mançester Junajtid dhe Adam Uarton të Kristal Palas. Maino i befasoi të gjithë me minutat që mori te Junajtid duke treguar klas, teknike dhe vetëbesim. Po ashtu, Uarton ishte një nga surprizat më të mëdha të këtij sezoni në Premier Ligë. Djaloshi erdhi nga Bekburni në Championship te Kristal Palas dhe në harkun e gjashtë muajve fitoi vendin e titullarit dhe thirrjen në kombëtare. Lojtar potent, i fortë fizikisht, i aftë për të thyer aksionet e kundërshtarit. 

Mbetet të shihet se ku do të pozicionohet Xhud Belingam. “Diamanti” i Garet Sauthgejt mund të luajë përkrah Rajs përpara mbrojtjes, por mundësitë janë që ai të luajë dhe si 10-sh, pozicion në të cilin luajti shpesh dhe me Realin e Madridit ku i mahniti të gjithë me paraqitjet e tij. Alternativë cilësore është dhe Trent-Aleksandër-Arnold të cilin Sauthgejt e sheh vetëm si mesfushor, pavarësisht viteve të shumta që Arnold luan si mbrojtës i djathtë te Liverpuli.

Sulmi – Miniera e Arit

Majën e sulmit do e udhëheqë sërish Herri Kejn. Sauthgejt i ka besuar dhe shiritin e kapitenit, ndërkohë që gjahtari i golit kërkon të shënjojë turrneun dhe të prekë trofeun e parë në karrierë. 

Fill Foden pritet të zbresë nga e majta, por mëngjërashi mund të luajë dhe si 10-sh në varësi të zhvillimeve dhe situatave të ndryshme gjatë ndeshjeve. Foden ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm me Mançester Sitin dhe rritja e tij ka tejkaluar çdo pritshmëri. 

Mbështetje e madhë për Kejn do të jetë dhe Bukajo Saka. Anësori i majtë vjen nga një sezon shumë pozitiv me Arsenalin, ndërkohë pjekuria e tij si lojtar në teknikë, driblime, goditje nga distanca dhe asistime është e dukshme. Pritshmëri të larta ka dhe për Kol Palmer. Djaloshi vjen nga një sezon prej protagonisti me Çelsin ndërsa talenti i tij është i padiskutueshëm. 

Krahas kapitenit Kejn, anglezët do të kenë dhe dy “pyka” në sulm si Oli Uotkins i Aston Vilës dhe Mark Tonei i Brentford. Eze i Kristal Palas do të shpresojë për minuta, ndërkohë që Antoni Gordon i Njukasëll po ashtu pret shansin e tij në krahun e majtë të sulmit. 

Boshti i “Tre Luanëve” pritet të jetë katërshja Rajs-Belingam-Foden-Kejn.

Anglia ka potencial të padiskuueshëm në organikë, teknikë, forcë, shpejtësi, gjeometri, vizion, klas…

A do të marrë fund pritja 58-vjeçare pikërisht në Gjermani…?!

Anglia e nis garën për thyerjen e tabusë në ndeshjen ndaj Serbisë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *