Ish-zyrtarja e kryeministrisë, Alda Klosi është arrestuar mbrëmë me akuzën e pastrimit të parave.
Klosi iu vunë prangat pasi pastruesja, Rozeta Dobi ndryshoi dëshminë e saj fillestare në polici duke thënë se Klosi e kishte përdorur në inskenimin e grabitjes së 120 mijë eurove, ngjarje për të cilën ajo do të akuzonte bashkëshortin e saj me të cilin kishte konflikte.
Dobi tha në dëshminê e saj të re se në shtëpinë e Alda klosit vinin para me çanta, por ajo nuk e dinte se kush i sillte ato.
“Paratë vinin që nga viti 2021. Unë nuk kam dijeni kush i sillte, por paratë vinin në çantë. Në dhjetor 2022 Alda ngaqë kishte konflikte me burrin më kërkoi t’i ruaja. Ditën që i mora me çantë i mora nga kasafortë, pasi Alda nuk ishte në shtëpi. Më tha ajo vetë merri në kasafortë.” – tha Dobi në dëshminë e saj.
Fillimisht, Alda Klosi denoncoi paratë e humbura si të vjedhura, por dëshmia e Rozeta Dobit tashmë ndryshon dinamikën e ngjarjes duke e kthyer Klosin nga denoncuese në të akuzuar për pastrim parash.