Knesset-i ka miratuar një projektligj që parashikon vendosjen e dënimit me vdekje për personat e dënuar për akte terrorizmi. Nisma u miratua me 62 vota pro nga 120 deputetë, ndërsa 48 votuan kundër dhe të tjerët munguan ose abstenuan.
Projektligji është propozuar nga partia Otzma Yehudit, e udhëhequr nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, dhe u mbështet edhe nga kryeministri Benjamin Netanyahu.
Sipas ligjit të ri, personat e dënuar për vrasje me motiv terrorist, veçanërisht në territoret e pushtuara, mund të përballen me dënimin maksimal nga gjykatat ushtarake ose civile. Vendimi mund të apelohet, ndërsa në rast konfirmimi, ekzekutimi duhet të kryhet brenda 90 ditëve.
Kritikët e ligjit, përfshirë organizata të të drejtave të njeriut dhe disa diplomatë evropianë, kanë paralajmëruar se në praktikë masa pritet të prekë kryesisht palestinezët.
Izraeli e kishte hequr dënimin me vdekje për vrasje që në vitin 1954, por ligji vazhdonte ta parashikonte atë për raste të veçanta, si krimet naziste ose tradhtia gjatë luftës. Rasti i fundit kur një gjykatë izraelite zbatoi dënimin me vdekje ishte në vitin 1962 ndaj kriminelit nazist Adolf Eichmann.
