Zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi nxorën fitues lëvizjen “Evropa Tani”, nga radhët e së cilës vjen dhe presidenti malazez, Jakov Milatoviç.
“Evropa Tani” e drejtuar nga Milojko Spajiç ka shpallur fitoren me 26 përqind të votave ose 24 mandate. Pasohet nga koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjukanoviç me 23,7 për qind ose me 21 mandate në Parlamentin e Malit të Zi. Koalicioni pro-serb dhe pro-rus “Për të Ardhmen e Malit të Zi” (ish-Fronti Demokratik) ka fituar 15 përqind të votave ose 13 mandate dhe koalicioni URA e Dritan Abazoviçit me Demokratët të Aleksa Beçiçit 12.3 përqind ose 11 mandate.
Shqiptarët do të kenë 3 deputetë në parlamentin e ri malazez të përbërë nga 81 ulëse. Në parlament do të hyjë Forumi Shqiptar me 2 mandate, Aleanca Shqiptare dhe Nisma Qytetare Kroate me nga 1 mandat.
Sakaq, Milojko Spajiç e ka përjashtuar një koalicon të mundshëm me lëvizjen “Ura” të Dritan Abazoviçit për formimin e qeverisë së ardhshme.