Partia Mundësia ka refuzuar pjesëmarrjen në tryezën e thirrur nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Deputeti i kësaj force politike, Erald Kapri, deklaroi në një intervistë për “News 24” se Partia Mundësia nuk mund të jetë pjesë e një tryeze ku, sipas tij, drejtuesit kryesorë janë figura të akuzuara për korrupsion.
Kapri përmendi konkretisht emrat e Sali Berishës, Ilir Metës dhe Fatmir Mediut, duke theksuar se prania e tyre e bën të pamundur bashkëpunimin në kuadër të një tryeze politike që synon reformimin apo bashkërendimin e opozitës.
Nga ana tjetër, deputeti bëri të ditur se Partia Mundësia i ka dërguar një ftesë Lëvizjes Bashkë për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen, duke lënë të hapur mundësinë e aleancave me forca që, sipas tij, nuk janë të implikuara në afera korrupsioni.

