Nga numërimi i deritanishëm i votave nga kutitë e zgjedhjeve lokale të 14 majit, mund të thuhet se ka një projeksion që e afron Partinë Socialiste drejt fitimit të 54 bashkive në rang vendi.
Partia Socialiste fillimisht fitoi bashkitë e Elbasanit, Vorës dhe Kamzës ku votimi u krye elektronikisht, ndërkohë që kryeson dhe në bashkitë e tjera të mëdha si ajo e Tiranës, Durrësit, Fierit apo Vlorës.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” i drejtuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, kanë arritur të fitojnë bashkinë e Hasit, ndërkohë që kryesojnë dhe në Mirditë, Fushë-Arrëz, Pukë, Rrogozhinë, Memaliaj dhe Kuçovë.
Bashkia e Tropojës, një bastion i demokratëve është fituar zyrtarisht nga kandidati i Partisë Socialiste, Rexh Biberaj, ndërkohë që në Shkodër, një tjetër bastion demokrat, kryeson po ashtu kandidati i socialistëve, Benet Beci.
Ky projeksion i deritanishëm u jep socialistëve një fitore plebishitare, ndërkohë që përmasat e humbjes të koalicionit “Bashkë Fitojmë” kanë tejkaluar çdo pritshmëri.